Lajme
Dita 35 | Kryeministri Kurti pritet të mësojë për dinjitetin e mësuesit në Japoni dhe si i thonë grevës atje
Demokracia
07:55 | 28 Shtator 2022

Share:

Shpeshherë mund të dëgjojmë lajme për kryeministra e presidentë shtetesh që ndëprejnë ose shtyjnë vizitat zyrtare për tu kthyer ose për t’u marrë me probleme që dalin në atdheun e tyre.

Por, kështu nuk është me Kosovën, shkruan Demokracia.com.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar mijëra kilometra larg Kosovës. Ai, i pashqetësuar, ka lënë prapa grevën e rreth 30 mijë mësimdhënësve, e cila sot hyn në ditën e 35-të. Asnjë zgjidhje nuk ka ofruar deri më tani.

Në Japoninë e largët, Kurti mund të marrë ndonjë mësim sesi me plot respekt trajtohen mësimdhënësit atje dhe si nuk duhet të neglizhohen kërkesat e punëtorëve. Nëse nuk do të arrijë të mësojë asnjërën nga këto, mbase do të mund ta mësojë sesi i thonë ‘grevës’ në japonisht.

Mijëra kilometra larg Kosovës edhe presidentja, Vjosa Osmani, e cila nga Amerika ka kujtuar se ajo është udhëheqëse e politikës së jashtme, pa guxuar as të flas për dialogun, se lëre më të marre rol, duke thënë se ka qenë në pesë shtete gjatë shtatorit, por sapo të kthehet në Kosovë do të shohë se çka mund të bëjë për tejkalimin e situatës.

Indiferenca e pushtetit të Vetëvendosjes ndaj kërkesave të mësimdhënësve dhe mësimit të humbur të nxënësve është shqetësuese. Po aq edhe sjellja e kryeministrit Kurti dhe ministrave e deputetëve të VV-së, të cilët janë përpjekur për ta shtypur grevën e mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë.

Me mijëra mësimdhënës dhe shërbyes civilë janë në pasigurtë nëse të premten në 30 shtator, kur do të ekzekutohen pagat, do të marrin rrogën e tyre për muajin shtator. Muajin e kaluar, Ministria e Financave i ka vonuar rrogat e tyre për disa ditë. Ndalja e pagës në këtë kohë krize të përballjes me inflacionin dhe çmimet e larta të çdo gjëje është jo vetëm shkelje kushtetuese e ligjore, por edhe jo-njerëzore.

Edhe dikasterët tjerë qeveritare janë pjesë e betejës për të shtypur grevën e mësimdhënësve. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në vend se të mundohet të afrojë ndonjë zgjidhje, ajo ka vazhduar me sulmet e saj, me një gjuhë të njëjtë me atë të shefit të saj, Kurtit. Nagavci, që është bërë shefe e arsimit në Kosovë me mesataren e studimeve master 6.46, ka përsëritur akuzën e Kurtit se sindikalistët janë njerëz të PAN-it, duke “harruar” se ishin të njëjtit që në kohën sa ishin në opozitë u premtonin se te Qeveria e Kurtit do të gjenin partnerin që nuk e kishin te asnjë qeveri tjetër që nga paslufta.

Papërgjegjshmëria dhe indiferenca e pashpjegueshme e kryeministrit Kurti dhe ministres Nagavci për të zgjidhur kërkesat e mësimdhënësve, pritet të bartë pasoja të mëdha për nxënësit e Kosovës. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

Dita 34 | Kryeministri Albin Kurti vazhdon t’i injorojë me kryeneçësi kërkesat e mësimdhënësve

 

Të ngjashme