Lajme
“Disponimi pro Kosovës, por s’përjashtohen surprizat” – Knaus dhe Vogel flasin në prag të votimit në Këshillin e Evropës
Demokracia
12:58 | 16 Prill 2024

Share:

Në prag të votimit në Asasamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku parlamentarët e 46 shteteve anëtare të organizatës do të shqyrtojnë një raport që rekomandon anëtarësimin e Kosovës, njohësit e proceseve politike konsiderojnë se përkundër që vendi mund të bëjë një hap të madh përpara, në këtë fazë parafinale nuk duhen të përjashtohen as suprizat e pakëndshme.

Gerald Knaus, drejtor i Inciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), në një përgjigje për Albanian Post të martën, ndonëse shprehet optimist se do të arrihen dy të tretat e votave të nevojshme, nënvizon se demokracia e fundit evropiane që ende nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, duhet të punojë shumë deri në anëtarësimin e plotë në panteonin e kombeve evropiane.

“Jeta është e paparashikueshme. Asgjë nuk duhet të merret e mirëqenë, veçanërisht nëse pritjet janë të larta. Por diplomacia e zgjuar, argumentet e mira dhe fokusi në çështjet e rendësishme, do të funksionojnë”, thekson Knaus, derisa kujton se anëtarësimi në Këshillin e Evropës – një synim i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në 2008 – dikur dukej e paarritshme.

“Ky mund të jetë triumfi më i madh diplomatik i Kosovës që nga viti 2009; diçka që dy muaj më parë dukej e pashpresë dhe e paarritshme, tani nuk është thjesht e mundur, por edhe e arritshme”, shton ndër të tjera Knaus, i cili aktualisht ndodhet në Strasburg të Francës për të përcjellur nga afër procesin e votimit për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

E votimi në organin legjislativ të organizatës, ku pritet që parlamentarët të japin dritën e gjelbër për anëtarësimin e Kosovës, në sytë e specialistit të demokracisë dhe politikës së jashtme, Toby Vogel, ndonëse paraqet një moment historik për vendin e vogël ballkanik, nuk është tregues se Kosova do të arrijë pikën përfundimtare, veçanërisht duke parë lojën e numrave.

Ai potencon se jo të gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtare mund të votojnë sipas pikëpamjeve politike të shprehura nga qeveritë respektive për Kosovën, derisa kujton votën e përfaqësues greke në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare, ndonëse autorja e raportit për Kosovën, Dora Bakoyannis, është ish-ministre e Jashtme e Greqisë.

“Për shembull, raporti i Bakoyannisit u refuzua nga një kolege e saj greke në fazën e komitetit, për arsye të thjeshta politike partiake. Kjo ka shumë gjasa të ndodhë edhe sot, në të dyja drejtimet (pro ose kundër), që do të thotë se vota nuk është lehtë e parashikueshme. Megjithatë, disponimi në Asamblenë Parlamentare duket të jetë në përgjithësi mbështetës për Kosovën”.

Megjithatë, duke qenë se votimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është vetëm këshillues dhe jo i detyrueshëm, lëvizjet reale politike do të nisin në prag të takimit të ministrave të jashtëm – organi vendimmarrës i organizatës – në maj. Janë 12 shtete anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, përshirë disa shtete njohëse por armiqësore karshi vendit.

Për shembull, disa deputetë nga shtetet njohëse raportohet se kanë dorëzuar një amendament sipas të cilit Kosovës i kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe para se të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, ndërsa në këtë njohësit e shohin “mundësinë e fundit” për t’i bërë presion Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të pajtohet për këtë çështje.

“Dhe këtu Kosova përballet me pengesat më të mëdha ngase një numër qeverish janë ose armiqësore ndaj anëtarësimit të Kosovës ose duan të përdorin Këshillin e Evropës si një pikë tjetër presioni për të detyruar miratimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Vendimmarja e Këshillit të Ministrave mund të vonojë për të parë se si do të shkojnë gjërat”.

Knaus nga ana tjetër vlerëson se edhe votimi në Asamblenë Parlamentare edhe vendimmarja në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës janë sfida të mëdha, por të cilat mund të kapërcehen. Ai nënvizon se është e rëndësishme për kontinentin që Kosova të bëhet anëtarja më e re e organizatës më të vjetër evropiane në 75 vjetorin e themelimit.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Kjo çështje mori epilog kur Qeveria e Kosovës vendosi në mars t’ia dorëzojë pronësinë e 24 hektarëve tokë Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor që manastirit t’i jepej toka në vitin 2016, por qeveritë e njëpasnjëshme kosovare refuzuan ta zbatonin vendimin e gjykatës. Por konsiderohet se Kosova ka ende çështje për të adresuar.

Të ngjashme