Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka dënuar me nga dy ndeshje moslojë dy futbollistët e Ballkanit, Albion Rrahmani dhe Theofilus Solomon, shkruan Demokracia.com.
Të dy futbollistët u ndëshkuan me kartonë direkt të kuq në sfidën ndaj Prishtinës në kuadër të Kupës.
Ndeshja solli lojë të fortë dhe momente të nxehta, derisa edhe gjyqtari Dardan Çaka pati bukur shumë punë.
Të dy futbollistët do t’i mungojnë Ballkanit në dy sfidat e radhës në Superligën e Kosovës në futboll.
Më poshtë gjeni vendimet e plota të Komisionit Disiplinor të FFK-së:
Komisioni disiplinor i shkallës së parë në përbërje; Metë Çeku – kryetar, Dukagjin Zefi, Avni Shala dhe Luan Salihu – anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 18.03.2022 shqyrtoi procedurat e hapura nga Komisioni i Garave pas përfundimit të ndeshjeve të çerekfinales së Kupës së Kosovës si dhe ndeshjeve te Superliges së kadetëve edicioni 2021/2022. Pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve konform dispozitave të Rregullores disiplinore, mori këto:
VENDIME
Lojtari i FC ”Ballkani” me nr fanelle 9, Albion Rrahmani dhe nr ID#000840M00. Goditje me taka të ngritura nga mbrapa në lojtarin kundërshtar, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Ballkani-Prishtina. Bazuar në nenin 45 paragrafi 1 pika A i Rregullores disiplinore; Dënohet me dy (2) ndeshje mos lojë sipas radhës organizuar nga FFK.
Lojtari i FC ”Ballkani” me nr fanelle 45, Theofilus Solomon dhe nr ID#028313M97. Në minuten e 120, ndërhyrje në lojtarin kundërshtar për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Ballkani-Prishtina. Bazuar në nenin 45 paragrafi 1 pika A i Rregullores disiplinore; Dënohet me dy (2) ndeshje mos lojë sipas radhës organizuar nga FFK.
Lojtari i KF “ Trepça 89 “ Sheremet Hajrizi me nr fanelle 99 si nr ID 005119M05, në ndeshjen e xhiros së 17-të , të Superliges së kadetëve Trepça’89-Rilindja zhvilluar me 15.03.2022 në Mitrovicë, në minutën e 67 –të ndëshkohet me karton të kuq . Bazuar në nenin 45 paragrafi 1 pika A i Rregullores disiplinore; Dënohet me dy (2) ndeshje mos lojë sipas radhës organizuar nga FFK.
KËSHILLA JURIDIKE
Pala e pakënaqur në këto vendime ka të drejtë në ushtrimin e ankesës drejtuar Komisionit Disiplinor të shkallës së dytë – Komisionit për Ankesa në afatin kohor prej; 8 (tetë) ditësh nga data e sjelljes së këtij vendimi; datë 18.03.2022, respektivisht publikimit në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ankesa e ushtruar nga ana e palës së ankimuar nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit.