Sot, 13 prill, është dita e parë e muajit të Ramazanit.
Nga sot, deri më 12 maj, besimtarët muslimanë agjërojnë nga lindja e diellit e deri në perëndim. Agjërimi praktikohet për arsye fetare dhe shpirtërore dhe ndonëse e përhapur më së shumti te besimtarët muslimanë, në fakt është praktikë edhe e feve të tjera, si krishtërimi, budizmi dhe judizmi.
Demokracia.com ju sjell disa këshilla praktike që mjekët rekomandojnë për ta lehtësuar sadopak agjërimin e këtij muaji përfshijnë:
Mos e shmangni vaktin e syfyrit
Ka vetëm dy mundësi për të ngrënë gjatë Ramazanit: para lindjes së diellit (Syfyr) dhe pas perëndimit të diellit në mbrëmje (Iftar). Vakti i syfyrit mund të jetë i lehtë për t’u kapërcyer, pasi vështirë të kesh oreks aq herët në mëngjes. Sidoqoftë, mjekët thonë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos e kaloni këtë vakt. Zgjedhjet e ushqimit që bëni do të ndikojnë në energjinë tuaj gjatë gjithë ditës.
Shumë njerëz zgjedhin karbohidratet e thjeshta për vaktin e mëngjesit, por ato nuk japin energji afatgjatë. Në vend të kësaj konsumoni më shumë drithëra të plota, proteina të shëndetshme, fruta, perime etj.
Hidratimi
Konsumi i ujit është jetësor dhe ka shumë përfitime shëndetësore. Dehidratimi, krahas shumë problemeve të tjera, mund të rezultojë edhe në luhatje humori dhe shtim të lodhjes.
Atëherë, si të hidratoheni nëse nuk mund të pini ujë midis lindjes dhe perëndimit të diellit?
– Përdorni kohën kur mund të konsumoni ushqim, për të marrë gjithë hidratimin e nevojshëm.
– Mbani një shishe uji afër gjatë gjithë natës dhe pini sa herë që të jetë e mundur.
– Përpiquni të përfshini në dietë sa më shumë ushqime që përmbajnë ujë (domate, kastravec, dredhëza, shalqi etj).
Kini kujdes me ushqimin dhe porcionet gjatë iftarit
Ushqimet tradicionale mund të jenë të yndyrshme dhe të rënda, dhe ndonëse kanë shije të mrekullueshme, dita e nesërme mund t’ju gjejë të fryrë dhe të lodhur. Përpiquni të hani shëndetshëm ose të krijoni një ekuilibër me “pak nga të gjitha”. Mos harroni se kjo nuk është ngjarje një-ditore, por një-mujore.