Lajme
Disa ditë para takimit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit – çfarë pritet nga 27 shkurti në Bruksel?
Demokracia
08:11 | 22 Shkurt 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 27 shkurt në Bruksel, në kuadër të dialogut, ndërsa para do ta kenë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve, të njohur si Plani Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçák, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët dhe më pas do të mbahet një takim i përbashkët.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia të pranojnë propozimin evropian, si rrugë për normalizim të marrëdhënieve.

E të martën, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pasur bisedë telefonike me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier si pjesë e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm me homologë të shteteve aleate.

Steinmeier ka vlerësuar procesin e reformave në Republikën e Kosovës, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe ka shprehur përkrahje për rrugën euro-atlantike të vendit tonë.

Sipas njoftimit thuhet se presidentja Osmani e ka falënderuar Presidentin Steinmeier për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë karshi integrimit të plotë të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, ndërkaq ka potencuar rëndësinë e ecjes përpara me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Reklama

E për takimin e 27 shkurtit, të martën foli edhe vet kryeministri Albin Kurti, i cili theksoi se pret të ketë diskutime të mëtutjeshme lidhur me propozimin evropian.

Për Asociacionin, ai ka thënë se janë pesë fjali të preambulës me 10 nene, duke shtuar se beson që do t’i përmbahen propozimit që kanë marrë dhe jo interesit të njërës palë.

Ne e kemi propozimin evropian me iniciativë franko-gjermane, që tashmë kemi konstatuar që është edhe bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme. Prandaj, nga dita e hënë kur zhvillohet takimi i radhës i takimit të lartë ne presim që edhe të ketë diskutime të mëtutjeshme edhe të ecim përpara mbi bazën e atij propozimi, mirëpo për gjërat e tjera nuk mund të flasim tani edhe për shkak se jo pak varet nga fasilituesit apo ndërmjetësit.

Janë pesë fjali të preambulës me 10 nene, besoj që do t’i përmbahen propozimit që kanë marrë dhe jo interesit të njërës palë. Pas ditës së hënë do të mund të dimë më shumë se çka e kur”, u shpreh Kurti.

Për takimin e së hënës, së 27 shkurtit është deklaruar ditë më parë për Telegrafin edhe njohësi i çështjeve politike, Emir Abrashi.

Ai theksoi se nuk do të çuditej nëse palët do të gjenin arsye të reja për ta shtyrë edhe më tutje arritjen e marrëveshjes, duke hapur tema të reja e të cilat ngjallin mosmarrëveshje të reja.

“Ajo që është e rëndësishme është që pala kosovare të shkojë e përgatitur dhe të jetë konstruktive në takimin e 27 shkurtit, si dhe ç’është e rëndësishme është që për temën e cila është treguar më problematike në këtë fazë të fundit të bisedimeve, Asociacioni të jetë e përgatitur për të ofruar një zgjidhje duke prezantuar propozime konkrete, ndërsa implementimin e së cilës duhet ta kushtëzojë me arritjen e marrëveshjes përfundimtare”, tha ai.

Tutje, Abrashi theksoi se pala kosovare nuk guxon të vazhdojë të humbasë momentume dhe të jetë e vetëdijshme që zgjatja e mëtejme e dialogut i konvenon vetëm Serbisë.

“Në secilin variant, Kosova duhet t’i shmanget konfrontimit dhe antagonizmit të mëtejmë me aleatët e saj, të cilët i kanë bërë të qarta pritshmëritë e tyre për përmbylljen sa më të shpejtë të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, është shprehur Abrashi.

Të ngjashme
Lajme • 29 Mars 2024