Një nga diplomatët e njohur të Serbisë, Zoran Milivojeviq, njëherësh edhe njohës i rrethanave politike të jashtme, ka deklaruar se për të është e rëndësishme që në fund të procesit gjyqësor në Hagë, UÇK të dënohet në aspektin politik, sepse kjo do të kishte ndikim dhe implikime të mëdha.
“Një gjë që do jetë thelbësore është se a do të ketë dënim të UÇK-së në aspektin politik. Mendoj se beteja kryesore, kur është në pyetje aspekti politik i këtij gjykimi, do të jetë rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Milivojeviq, ne edicionin kryesore të lajmeve të televizionit shtetëror serb.
Sipas tij, dënimi i UÇK-së do të hapte çështjen e ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë.
“Në atë rast edhe karakteri i intervenimit të NATO-s do vihet në pikëpyetje. Pasojat mund të jenë serioze, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në ndonjë rrafsh tjetër”, ka thënë Milivojeviq, i cili ka shërbyer si ambasador serb në SHBA, Francë, Belgjikë dhe Kroaci.