Lajme
Dinari – nga një “çështje e panegociueshme” shkrihet në agjendën e BE-së dhe OKB-së
Demokracia
16:11 | 26 Shkurt 2024

Share:

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) do të jetë një ndër çështjet kryesore që do të diskutohet në takimin e së martës (27 shkurt) midis delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të Belgjikës, duke rrëzuar ekzekutivin kosovar nga pozicioni i ngurtë se vendimet e institucioneve sovrane të vendit nuk duhet të jenë pjesë e agjendës së negociatave.

Nën hijen e papërgjegjshme të retorikës, duke sakrifikuar edhe parteritetin ndërkombëtar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, transmetonte përshtypjen e të qenit hapur kundër çdo propozimi të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare që çështja e ndalimit të dinarit serb në Kosovë të zgjidhet nëpërmjet procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).

Në një paraqitje për media në fund të janarit, një ditë para hyrjes në fuqi të rregullores së BQK-së, kreu i ekzekutivit kosovar deklaroi se ndalimi i përdorimit të dinarit serb në vend është “çështje e panegociueshme” dhe sëkëndejmi, nuk mund ta zhbëhet. Megjithatë, vendimi që hyri në fuqi më 1 shkurt kaloi edhe në filtrat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Euroja është valutë që vjen nga BE-ja, ne nuk jemi duke i thënë askujt merre lekun e Shqipërisë apo një valutë të re, por euron – euro është valuta e vetme e pagesave dhe shitblerjeve i përcaktuar në mënyrë të qartë në Kushtetutën e Kosovës dhe nuk është një çështje e negociueshme”, garantoi kryeministri Kurti në një konferencë për shtyp më 31 janar në Prishtinë.

BE-ja ftoi Kosovën dhe Serbinë për të negociuar mbi dinarin në një takim që do të zhvillohet në një-vjetorin e Marrëveshjes së Brukselit. Ftesa u bë pas takimeve që Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, zhvilloi ndaras me kryeministrin kosovar dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, javën e kaluar në Mynih të Gjermanisë.

Megjithatë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherë shef i ekipit negociator të palës kosovare, refuzoi ftesën e BE-së për të negoicuar për çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe për më tepër, akuzoi diplomatin sllovak, Mirosllav Lajçak, mbi shkeljen e supozuar të parimeve, posaçërisht sa i përket caktimit të një takimi për dinarin.

“Por, ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike. Kështu që do të shohim se kush do të shkojë që të bisedojë për dinarin, por nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, u shpreh zëvendëskryeministri Bislimi në një konferencë për media në Prishtinë.

Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Nabila Massrali, konfirmoi të hënën në një konferencë për shtyp pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në takimin e thirrur për të martën e 27 shkurtit në kryeqendren evropiane në përpjekje për të gjetur një zgjidhje përmes kompromisit të negociuar për ndalimin e dinarit serb në territorin kosovar.

“Ajo që unë mund të them është se po, do të kemi takim nesër. Takimi i nesërm është takim i dialogut i cili do të fokusohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimin e fundit për qarkullimin e valutave nga BQK-ja. Takimi do të nisë në mëngjes dhe do të ketë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut”, deklaroi zëdhënësja e bllokut evropian.

Ndryshe, duke shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS) për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit, zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada, në një përgjigje për Albanian Post të hënën, njoftoi se zyrtarë të institucionit themelor bankar në Kosovë do të marrin pjesë në takimin informues të 27 shkurtit në Bruksel.

“BQK-ja kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS) për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve në euro”, pohoi ai.

“Në këtë kuptim, [BQK-ja] edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, shtoi ndër të tjera Kada, pa specifikuar se kush do të jetë pjesë e delegacionit të palës kosovare në takim.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e BQK-sё, nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb nё territorin kosovar, duke specifikuar se valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione është euro. Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

BQK-ja njoftoi se rregullorja e re do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, që do të zgjasë jo më shumë se tre muaj. Ndërkaq, nga ekzekutivi kosovar potencuan se së shpejti do të hartojnë një listë prej dhjetë masash sa u përket mënyrave se si qytetarët e komunitetit serb që përbën shumicën në pjesën veriore të mos dëmtohen gjatë fazës kalimtare të zbatimit të vendimit.

Përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet apo do të arrihet një kompromis në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Të ngjashme