OpEd
Dilema klinase midis fabrikës dhe mjedisit
Demokracia
15:26 | 18 Maj 2022

Share:

Autor: Zeqir Veselaj

Në kuadër kurseve të zhvillimit të qëndrueshëm, gjithmonë diskutojme me studentët tri shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm: ekonominë, shoqërinë e dhe mjedisin në kontekstin e balancimit të nevojave për zhvillim ekonomik, mirëqenie njerëzore dhe ruajtjen e mjedisit në nivel lokal dhe global. Nga kjo perspektivë, çdo projekt investiv që ndihmon ekonominë dhe mirëqenien shoqërore duhet vlerësuar e konsideruar, kudo dhe kurdo planifikohet të ndodh. Këtu nuk bëjnë përjashtim edhe fabrikat që pritet të kenë ndikim në mjedis, e ku bëjnë pjesë edhe fabrikat e çimentos. Nuk është mirë që secili investim të refuzohet apriori, sepse situata ekonomike e qytetarëve të vendit tonë është e rënduar dhe nuk e lejon këtë “luks”.

Projekte si ky i fabrikës së çimentos gjithmonë nxisin reagim publik, kryesisht nga shkaku i brengave të ndikimit në mjedis dhe në shëndetin publik. Këso reagimesh ka plot, madje edhe në shtete përendimore ku standardet mjedisore dhe respektimi i tyre janë të garantuara në mënyrë strikte. Prandaj reagimin qytetar të banorëve të Klinës, si qytetarë të një shteti ku standardet e mjedisit nëpërkëmben pa pasoja për shkelësit janë të arsyeshme dhe legjitime. Nga kjo perspektivë, grupi i qytetarëve të brengosur për shëndetin e tyre dhe të gjeneratave që do të vijnë, nuk duhet parë as si “armiq” të zhvillimit ekonomik, as grupe të interesit me agjenda të ndryshme ekonomike, etnike e politike. Qytetarët anë të drejtën e reagimit, sepse shumë prej tyre kanë parë kulmet e hirta të shtëpive në Hanin e Elezit dhe ndjejnë frikën e ngjyrosjes së tyre në zonën ku jetojnë. Ata qytetarë e kanë të garantuar të drejtën kushtetuese me neni 52 se “institucionet e pushtetit publik angazhohen për t’i garantuar secilit mundësinë që të ndikojë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ajo/ai jeton” (p.2) dhe se “ndikimi në mjedisin jetësor merret parasysh nga institucionet publike në procesin e marrjes së vendimeve” (p.3). Klina duhet të jetë mirënjohëse për aktivizmin qytetar të tyre pavarësisht nëse fund do të kenë sukses apo jo në kauzën e tyre. Në anën tjetër nuk duhet trajtuar armiqësore as kompaninë investuese (qoftë e vendit apo e huaj) e as qytetarë që me shpresën e një vendi pune dalin në përkrahje të fabrikës. E vërteta është diku në mes: për të qenë projekti i qëndrueshëm, duhet që në procesin e vendimmarjes dhe qeverisjes të harmonizohen: nevojat e zhvillimit ekonomik komunal, ato për rritjen e mirëqenies shoqërore të qytetarëve si dhe implikimet ekologjike e shëndetësore në zonën e ndikimit. Në projekte të tilla madhore, zakonisht përfituesit janë të paktë e të dëmtuarit janë shumë.

Klina në përgjithësi gëzon imazhin e një qyteti me një pozitë të volitshme gjeografike ku gërshetohet një reliev rrafshinor por edhe kodrinoro-malor. Nga ana tjetër, karakterizohet me vlera natyrore, karakteristika ekologjike të jashtëzakonshme por edhe pasuri natyrore minerare e jominerare. Territori i saj përshkohet nga pesë lumenj si asnjë qytet në Kosovë, e ka në territorin e saj shumicën e territorit të Kanjonit të Mirushës, ka lumin e Grykës Klina me potenciale rekreative, shumë monumente natyrore e kulturo-historike që po zbulohen përditë.

Ky peziazh i mrekullueshëm në dekadën e fundit është degraduar keq nga veprimi kryesisht i bizneseve me ndikime në mjedisi madje shumë më të vogla se ky i çimetores. Prezenca e pesë gurëthyesve në rrethinën shumë të afërt ku planifikohet çimentorja e ka degraduar shumë mbulesën e gjelbërt pyjore si dhe ka rritur shkarkimet e pluhurit në ajër. Gjithashtu degradimi i shtretërve të lumenjëve për eksploatimin e rërës dhe zhavorrit por edhe ndotja e tyre gjithkund e me gjithçka paraqet shëmtimin dhe humbjen e vlerave natyrore. Prerja dhe degradimi i pyjeve, zënia e tokave bujqëore me ndërtime, si dhe ndotja e mjedisit me mbeturina janë pjesë shoqëruese e syrit të qytetarit klinas por edhe vizitorit. Nga këto shkaqe, imazhi ekologjik i komunës është i cenuar seriozisht secilën ditë e më tepër me veprimet edhe të vet qytetarëve. Ky degradim në rritje duket se ka qenë edhe filli i reagimit qytetar për ruajtjen e mjedisit dhe shëndetit nga projektet që dëmtojnë mjedisin.

Debati publik në procesin e vendimmarrjes mjedisore

Në procesin e marrjes së pëlqimeve mjedisore, sipas legjislacionit në fuqi për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) duhet të përpilohet një raport për vlerësim të ndikimeve në mjedis të projektit specifik dhe ai dorëzohet për trajtim te institucionet vendimarrëse. Në këtë proces, dëgjimi publik rreth raportit të VNM-së është pjesa më e rëndësishme e njëkohësisht edhe më “e nxehta” për investitorin. Dëgjimi publik është momenti i vetëm i përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje për projektet që priten të ndikojnë jetën e tyre . Kjo sepse aty prezantohet jo vetëm ajo se sa vende pune e sa euro do të sjell projekti specifik, por edhe cilat janë implikimet në shëndetin e qytetarëve të zonës së ndikimit. Gjithçka duket se ka nisur rreth ekzistimit ose jo të dëgjimit publik rreth projetit të çimentores që vendos dilemën: ose ka munguar transparenca në proces ose ka munguar procesi fare. Qytetarët po insistojnë se nuk kanë qenë pjesë e asnjë dëgjimi publik dhe kundërshtimin që nuk kanë mund ta bëjnë në dëgjim publik, po e shprehin me peticion e protesta. Investitori pohon të kundërtën (se ka pasur dëgjim publik) por nuk po argumentojnë transparencën në proces. E vërteta duhet të jetë në mes. Dhe këtë mes e siguron një proces hetimor e gjyqësor ku do të merrnin pëgjigje disa pyetje përmbajtësore, procedurale e ligjore. Problemi dhe protestat qytetare nxjerrin në pah dy pyetje që duan përgjigje.

E para, data dhe në cilin medium (gazetë, web faqe, radio apo televizion) është shpallur nga Ministra dëgjimi publik ciç e kërkon UA 16/2015 për pjesmarrje të ëublikut dhe palëve të intersuara në procedurën e VNM?. Teknologjia e informacionit sot ruan dokumentacionin dhe linqet.

E dyta: mbi lokacionin ku është mbajtur, data dhe raporti mbi qëndrimet e qytetarëve pjesmarrës nga dëgjimi publik e që duhet të jenë pjesë të vendimit final të Ministrisë.

Tani lind një pyetje finale logjike dhe e rëndësishme: nëse gjithçka ka shkuar mirë në procesin e marrjes së pëlqimit mjedisor dhe dëgjimi publik nuk ka prodhuar vërejte substanciale, pse sot qytetarët e komunës, institucionet komunale, partitë politike opozitare e edhe të pozitës aktuale, shoqëria civile e deri te pëfaqësuesit e klerit po dalin kundër projektit. Dëgjimin publik dhe konsiderimin e brengave të publikut e garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Ligji për mbrojtjen e mjedisit, Ligji për VNM e deri te Konventa e Aarhusit parimet e së cilës aplikohen me ligjet në Kosovë edhe pa qenë nënshkruese e saj. Qëndrimi për ose kundër, madje edhe i një qytetari të vetëm duhet të jetë pjesë e korrigjimeve të investitorit në projekt por edhe i kushteve të vendimit final të Ministrisë për pëlqim mjedisor. Nëse nuk janë konsideruar brengat e qytearëve të prekur nga ndikimi në fazën kur projekti është ende në letër dhe mund të ndalet në çdo kohë, kush mund të garantoj për një gjë më të mirë nesër.

Anulimi i projektit të “Vilave në Badovc” si storie suksesi e reagimit qytetar

Nga krejt kjo, tani institucioneve u duhet të marrin disa vendime. E para, mendoj se meqë edhe ka procese gjyqësore nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal drej komunës, e se duhet nisur edhe një proces tjetër rreth procesit të marrjes së pëlqimit mjedisor, mbi projektin duhet të vihet pezullimi dhe masa e sigurisë sipas ligjit. Niveli qendror e sidomos Ministria e Mjedisit duhet ta rishiqoj komplet procesin e dhënies së pëlqimit mjedisor. Nëse ka elemente të lëshimeve procedurale e përmbajtësore (e që nga heshtja e saj po duket se ka) duhet të veproj para se të jetë vonë duke anuluar komplet procesin (pezullimi nuk nënkupton anulim).

Institucionet komunale nuk mund ta luajnë rolin e të pafuqishmit në raport me institucionet komunale në pozicionin se “ne jemi me qytetarin por nuk po mund ta ndalim investitorin dhe qeverinë qendrore”. Kryetari i komunës, Asambleja komunale dhe ekzekutivi janë aty të tregojnë se çka mund të bëjnë dhe jo se çka nuk mund të bëjnë. Komuna është autoriteti përfundimtar ligjor për dhënien e lejeve ndërtimore në territorin e saj. Dhe nëse ajo nuk ka interesa ekonomike siç po pretendon me dokumentat zhvillimore të aprovuara dhe në deklarime, nuk ka instancë e nivelit qendror që mund ta shtyjë të lëshoi një leje ndërtimore në territorin e saj. Vetëm duhet “t`i lodhin” pak zyrtarët ligjor e mjedisor dhe do t`i gjejnë të gjithë mekanizmat se si mund të ndalohet një proces që shkon kundër procedurave ligjore dhe kundër vullnetit të qytetarëve të cilëve ua kanë marrë votën. Kampanja që solli anulimin e projektit të Vilave në Liqenin e Badovcit në Prishtinë në vitin 2019-20, është storie suksesi më e fundit që reagimi qytetar i bazuar në vlera “e zhbën” secilin pëlqim nga niveli qendror e lokal.

Përfundimisht, ky projekt edhe mund të vazhdoj nëse vërtetohet se janë ndjekur procedura ligjore për marrjen e pëlqimeve mjedisore dhe lejeve tjera. Por do të jetë një projekt i lënduar që në fillim nga mostransparenca dhe rezistenca qytetare, gjë që do të bëjë që kjo plagë e lëndimit asnjëher nuk do të shërohet plotësisht. Një plagë që nuk shërohet, mund të ketë përkeqësim të pasojave në shumë dimensione. Prandaj është mirë që plaga të kurohet që në fillim, e pastaj të vazhohet me projekte investive për të cilat Klina dhe Kosova ka aq shumë nevojë. Ish-zëvendëspresidenti dhe nobelisti amerikan Al Gore, thotë se“ asnjë zhvillim ekonomik nuk duhet të bëhet në kurriz të dëmit të pariparueshëm në mjedis”. Pasojat e shumë zhvillimeve të tilla po shihen në mjedisin e Kosovës por edhe mjedisin global.

(Autori është ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës)

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024