Nuk është më vetëm Kombëtarja e Kosovës në futboll fanella e dëshiruar për shumë lojtarë.
Janë edhe ekipet përcjellëse që tashmë po zgjojnë interesim shumë të madh dhe janë bërë ëndërr për shumë të ri që jeton jashtë vendit, shkruan Demokracia.com.
Futsalli në Kosovë ka kohë që ka rrëmbyer zemrat e tifozëve dhe shumë lojtarë dikur të Superligës tash janë bërë pjesë e tij. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ish- portierin e Prishtinës dhe shumë skuadrave tjera kosovare, Feim Statovci i cili me shumë sukses po paraqitet në futsallin e Gjermanisë.
Statovci në një rrëfim për Demokracia.com, ka folur për karrierën që po e bënë në Gjermani te skuadra MCH Futsal Sennestadt por edhe dëshirën për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar të Kosovës në futsall.
“Momentalisht jam pjesë e MCH Futsal Sennestadt i cili luan në një nga katër ligat Regjionale të Gjermanisë. Këtu janë katër Liga Regjionale prej të cilave do ta formojnë Bundesligën gjermane të futsallit nga muaji korrik i 2021”, ka thënë Statovci.
“Ne gjendemi në vendin e dytë dhe kemi pikë të barabarta me Fortuna Dusseldorfin që është në vendin e parë, dmth kemi gjasa të mëdha që nga korriku 2021 të luajmë në Bundesligën e Futsallit gjerman”, njoftoi Statovci.
31 -vjeçari është i njohur në futbollin kosovar pasi ai për një kohë të gjatë ishte portier i parë i FC Prishtinës me të cilën edhe fitoi tituj. Ai po shpreson të kthehet prapë para tifozëve kosovarë por tash me një mision tjetër anë në fanellën e Kosovës në futsall.
“Unë kam luajtur shumë shpesh në futsall me shokë, mirëpo vitin e kaluar ju kam bashkuar ekipit MCH Futsal Sennestadt dhe i kam luajtur të gjitha ndeshjet. Me përzgjedhësin e Kosovës, Beni Simitçiu jam në kontakt, ai mi ka kërkuar disa video të cilat ja kam dërguar dhe i kam shprehur gatishmërinë për me qenë pjesë e Kombëtares së Kosoves në futsal”, vlerësoi Statovci i cili së fundmi ka zgjuar interes edhe nga kombëtarja e Gjermanisë.
“Në ekipin ku luaj unë janë dy lojtarë që janë pjesë e Kombëtares së Gjermanisë, ata më kanë treguar që trajneri i portierëve të Gjermanisë në Futsallit është interesuar për mua dhe i ka pyetur për nënshtetësinë time. Mirëpo un jam i përqendruar te ekipi im për momentin”, vlerësoi gardiani llapjan.
“Sa i përket garave këtu, për momentin jemi në pushim dhe shpejt do të fillojmë përgatitjet për Bundesligë. Përfaqësuesja e Kosovës është grumbulluar tash për dy miqësore. Këtë herë nuk kam marrë ftesë por trajneri e dinë që unë jam i gatshëm në çdo kohë që ta ndihmojë Kombëtaren e Kosovës”, ka thënë Statovci i cili aktivitetin e tij e zhvillon edhe në futboll të madh, ku momentalisht është pjesë e skuadrës shqiptare FC Kastrioti me të cilën po kalon formë të jashtëzakonshme.
“Kemi një ekip shumë kualitativ dhe të kombinuar me lojtarë të rinj shqiptarë dhe lojtarë me provojë të rrethinës Bielefeldit të Gjermanisë ku jetoj unë dhe jemi një klub shumë mirë i organizuar”, ka përfunduar Feim Statovci. /Demokracia.com