Lajme
Dihet se cila do të jetë oferta përfundimtare për Kosovën në Bruksel dhe çfarë do të ndodhë nëse Vuçiq refuzon
Demokracia
15:56 | 27 Shkurt 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të bisedojnë sot në Bruksel me zyrtarët e BE-së për propozimin franko-gjerman. Në tavolinë do të ketë një propozim, të cilën të dyja palët kanë thënë se janë të gatshme ta pranojnë në parim. Të dyja palët kanë “por”-at e tyre, prandaj deri pasditen e sotme do të jetë i pasigurt epilogu i takimit ku Kurti dhe Vuçiq do të takohen “sy për sy”.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë sot do të takohen ndaras në Bruksel me të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, ndërsa pak më vonë Kurti dhe Vuçiq me shumë gjasa do të takohen së bashku në një takim tre-palësh.

Siç shkruan media opozitare serbe, Nova.rs, Bashkimi Evropian do t’ua ofrojë sot në tavolinë Kosovës dhe Serbisë dokumentin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve. Nëse do ta pranojnë do të dihet sot pasdite.

Sipas gazetës serbe, ka vetëm një temë sot në Bruksel: vazhdimi i rrugës drejt normalizimit të marrëdhënieve mes të dyja palëve dhe nënshkrimi i propozimit nga të dyja palët.

Versioni i fundit i propozimit franko-gjerman ka mbërritur në shkurt.

Në të thuhet se palët do të zhvillojnë reciprokisht marrëdhënie normale, të mira fqinjësore të bazuara në të drejta të barabarta. Të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë diplomat, pasaportat, targat diplomatike dhe vulat doganore.

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Derisa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm në normalizim, të dyja palët do të vazhdojnë procesin e dialogut të udhëhequr nga BE me një dinamikë të re, duke çuar në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët do të krijojnë një komision të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, i cili do të monitorojë zbatimin e kësaj marrëveshje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme, shkruan Nova.rs.

Kryeministri i Kosovës, tashmë ka nisur takimin në Bruksel me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimi, i cili nisi pak pas orës 15:00, po zhvillohet në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Dy diplomatët perëndimorë do të presin më pas presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa pas takimeve dypalëshe, do të zhvillojnë një takim të përbashkët me Kurtin e Vuçiqin.

 

Të ngjashme