Eksperti gjerman dhe anëtari i “Democratization Policy Council”, Bodo Weber, në një intervistë për Gazetën Express ka treguar pritjet e tij për vazhdimin e negociatave Kosovë-Serbi, tashmë që në Amerikë do të vendoset një administratë e re që do të drejtohet nga Joe Biden. Ai ka një kërkesë për dy shtetet të nis dialogu, derisa kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka muajt e fundit para largimit nga pozita e saj.
Weber ka potencuar se do të duhet një rindërtim i bashkëpunimit Amerikë-Evropë, veçanërisht linjës Washington-Berlin dhe fillim i bisedimeve mbi parime të qarta. Njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor në fund ka folur edhe për zgjedhjet në Kosovë dhe për atë se si do të ndikojë rezultati i tyre në vazhdimin e dialogut.
“Nuk e di nëse do të bëhet këtë vit, dhe nuk mendoj që është vërtetë e rëndësishme vendosja e një afati kohor, por ajo që është e rëndësishme është që të arrihet një marrëveshje e drejtë, dhe që përfundimisht, pas tre vite e gjysmë të negociatave të keq-drejtuara, që shkaktuan dëme në reputacionin e BE’së dhe SHBA’së në Kosovë, Serbi dhe më gjerë, të shkohet drejt një rinisje të negociatave, drejt një finaleje të vërtetë, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton dhe garanton një zgjidhje të qëndrueshme. Lidhur me rivendosjen e negociatave, unë shpresoj që do ta shohim këtë vit, në fakt në pjesën e parë të këtij viti”, ka thënë ai për Express.
Sipas tij, një rindërtim të shpejtë të bashkëpunimit të ngushtë transatlantik në mes të BE’së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që fillon me linjën Uashington-Berlin, dhe që inkorporon gjithashtu të gjithë faktorët tjerë kyç sikur BE’ja e Parisi.
“Një rivendosje e negociatave që duhet të ndodh në pjesën e parë të 2021-ës, sepse kancelarja gjermane Angela Merkel largohet në fund të këtij viti. Duhet të fillojë me atë se ku vërtet dialogu politik nisë, me mesazhe të qarta nga presidenti Biden dhe Merkel, mbi parimet kryesore pa të cilat nuk mund të ketë negociata, dhe që të gjitha palët duhet ta marrin vesh një gjë: Koha e ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe Kosovë ka ikur një herë e përgjithmonë, që Serbia duhet të kthehet në vitin 2013 dhe ta pranojë realitetin që Kosova ka shkuar dhe të rregullojë politikën e saj në përputhje me rrethanat, që një marrëveshje finale është e nevojshme”, ka shtuar ai.