Lajme
Dialogu dhe pengjet politike në Hagë
Demokracia
18:09 | 18 Prill 2021

Share:

Në kulmin e represionit në fillim të viteve 90-të, dialogu shqiptarëve u shërbeu si mjet demokratik për të kundërshtuar dhunën e regjimit të Serbisë.

Dialogu u bë arma e vetme e rinisë studentore dhe Anton Çettës për të vrarë urrejtjen, për të pajtuar gjaqet, për të ndalur vëllavrasjen, për të ri zbuluar armikun e vërtetë të shqiptarëve-Serbinë.

Dialogu për pajtim, bashkë me popullin e Kosovës, u shndërrua në kauzë kombëtare duke larguar rrezikun e vrasjes së njëri-tjetrit dhe duke u konvertuar në një luftë mbrojtëse për njëri-tjetrin.

Edhe kur shtypja u bë e padurueshme, e papërballueshme, kur vrasjet, dhunimet dhe përndjekjet masivizoheshin, ne, shqiptarët, sërish besuam në dialog.

Dialogu ishte gjithmonë opsioni ynë i parë edhe në luftën tonë për çlirim. Në Rambuje, Kosova shkoi e bashkuar, derisa delegacionin për dialog e udhëhoqi UÇK-ja-ata që udhëhoqën luftën çlirimtare.

Unike!

Dialogu na solli lirinë, na solli edhe pavarësinë. Dialogu ishte orientimi ynë perëndimor-ajo që na açikoi në Ballkanin Perëndimor.

Ka pak shoqëri në botë që nga një fjali e vetme kanë nxjerr kaq shumë domethënie!

Ka pak shoqëri në botë që një fjalë të vetme e kanë shndërruar në kauzë kaq të gjatë, një herë në mbijetesë, më pas në kauzë të çlirimit, të pavarësisë dhe të shtetndërtimit.

Por, nuk ishte vetëm dëshira jonë për dialog ajo që përcaktoi triumfet tona-ishin edhe momentumet historike, ishin rrethanat gjeopolitike.

Thjesht, ishte një botë tjetër!

Në botën e këndejme multipolare, të pandemisë, të riorientimit të interesave gjeopolitike, Kosova duhet të mendojë gjatë e mirë çdo hap në politikën e Jashtme.

Tash e disa vjet dialogu është kthyer kokëposhtë, është bërë sinonim i numërimit të ditëve, të  javëve, të  muajve, të  vjetëve dhe i dekadës së status-quos.

Biden e ka Kosovën në zemër, por jo në agjendë 

Ne i kemi humbur momentumet gjeopolitike për të përfunduar dialogun me Serbinë, kur në fuqi ishin miqtë e vërtetë të Kosovës, në një botë pa pandemi, pa recesion, pa konflikte të hapura, pa një Rusi dhe Kinë agresive.

Merkel tashmë i takon historisë, derisa presidenti amerikan, Joe Biden, nuk do t’i përmbushë pritshmëritë tona-ato pritshmëritë e një Kosove që ende beson se është kërdhiza e globit.

Biden e ka në zemër e në mendje Kosovën dhe ka një marrëdhënie emocionale me popullin tonë, porse përcaktimi i prioriteteve të politikës së Jashtme në SHBA nuk udhëhiqet nga ndjenjat, por nga interesat shtetërore.

Si rrjedhojë, presidentët amerikanë janë të operuar nga ndjesitë personale.

Në javët e ardhshme do të bëheni dëshmitarë se presidenti Biden do të ketë prioritete tjera të politikës së Jashtme.

Ai do të vazhdojë të na urojë për Bajram, për Ditën e Pavarësisë. Patjetër që do të delegojë edhe një përfaqësues për dialog nga Departamenti i Shtetit.

Përkundër dëshirës, ai nuk do të ketë kohë që të merret seriozisht me zgjidhjen e problemeve shekullore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë!

Ukraina, përballimi me pandeminë, rimekëmbja ekonomike dhe vatra tjera të konflikteve në botë do t’ia marrin vëmendjen presidentit Biden.

Kosovën, njëjtë si Obama dikur, do t’ia lë në duar evropianëve.

Kështu, Kosovën e presin katër vjet të status-quos në politikën e Jashtme, ku aktivizimit amerikan mund t’i paraprijë vetëm ndonjë konflikt i armatosur, që mund ta trazojë strukturën e sigurisë në Evropë.

Amerika nuk ka simpati për Kosovën pse ne jemi populli më proamerikan dhe më besnik në botë, por Kosovën e sheh vetëm nga perspektiva e stabilitetit të Evropës.

Në duart e Borrellit dhe të Lajçakut

E braktisur përkohësisht nga Amerika, Kosovën e presin katër vjet të tjera të status-quos!

Të zbritur në tokën evropiane, neve na pret një proces i gjatë i dialogut Kosovë-Serbi, një serial i Netflix-it me 9 sezone përplot dramë dhe pa përfundim.

BE-ja edhe më tutje dëshiron të investojë në status-quo, duke shpresuar që në vitin 2050 të vijë një gjeneratë me mentalitet skandinav në Kosovë e në Serbi dhe t’i zgjidhë problemet e shtresuara tash e disa shekuj në Ballkan me shtypje të gjakut 90/60.

Dialogu Kosovë-Serbi për shumë kohë i ka shërbyer ruajtjes së status-quos, duke i arsyetuar politikat e BE-së të stagnimit të Zgjerimit.

Gjasat që Kosova anëtarësohet në BE në dekadën e ardhshme janë më të vogla sesa vaksinimi i popullatës së Kosovës nga Qeveria Kurti brenda muajit prill.

Ne duhet të pajtohemi që Bashkimi Evropian ka nevojë për një paraderë, të cilës mund t’ia vendosë perdet e hekurta sa herë që dëshiron të mos e shohë mjerimin.

Aty ku SHBA-ja nuk ka rol udhëheqës në procesin e dialogut, aty nuk ka sukses në dialog.

Në këtë rrugë na prin një BE, e cila që nga viti 2010, në mënyrë sistematike, i ka gënjyer elitat politike në Kosovë për liberalizim të vizave, për njohje nga pesë shtetet dhe për perspektivë evropiane.

Me gjasë Kurti do të jetë kryeministri i parë i Kosovës, i cili duket se nuk do të ketë presion të madh ndërkombëtar për të hyrë në dialog, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke e njohur Albinin, ai do t‘i rezistojë presionit ndërkombëtar. Kështu, ai fare nuk ka nevojë t’i mbysë iniciativat ndërkombëtare për dialog me akte kamikazësh, qysh e kishte bërë në të kaluarën.

Dialogu me Serbinë Kosovës i ka kushtuar shumë energji, shumë para, shumë fokus. Është një luftë e përditshme, e përhershme.

Serbia e ka shumë të lehtë të navigojë edhe në dialog, edhe në status-quo. Ekonomia dhe politika e saj e Jashtme i ecën shumë mirë edhe pa Kosovën, meqë ‚kancerin‘ e ka jashtë trupit të saj.

Por, kësaj radhe do ta ketë edhe më lehtë nëse hyn në dialog. Serbia është në kulmin e relativizimit të krimeve të veta, të ndryshimit të narracionit dhe të historisë.

Për të jetësuar këtë, Serbia të gjitha shpresat i ka vendosur në një kryeqytet të Evropës ku, deri më sot, asnjëherë nuk e shpalli atë fajtore për gjenocid, ku asnjëherë krimet e saj ndaj shqiptarëve nuk u gjykuan.

Në Hagë, ku 400 masakra në Kosovë, spastrimi etnik, dëbimi i rreth një milion qytetarëve, dhunimi i mbi 20 mijë grave asnjëherë nuk u gjykua.

Ata që e udhëhoqën dialogun po mbahen peng në Hagë 

Liderët kryesorë politikë që kanë bartë barrën e luftës, të lirisë, të pavarësisë dhe të dialogut me Serbinë që sot mbahen padrejtësisht në Hagë, nesër mund të përdoren si pengje politike në një proces të dialogut.

Procesi i Gjykatës Speciale e vendos Kosovën në një pozicion shumë të vështirë përballë një Serbie, e cila tash e dy dekada i mohon të gjitha krimet në Kosovë.

Në këto rrethana, ulja në një tavolinë me Serbinë do të ishte gabim strategjik, me pasoja afatgjate për Kosovën.

Vuçiqi, i cili mohon masakrën e Reçakut-masakrën më vizuale që ndonjëherë ka regjistruar bota e shekullit XX, paramendojeni me çfarë halucinacionesh do të shkojë në takime të dialogut për krerët e UÇK-së.

Shkuarja e krerëve të UÇK-së në Hagë ka krijuar një krater brenda Kosovës, dhe pa gravitetin e tyre politik do të jetë vështirë të arrihet një marrëveshje historike me Serbinë.

Kryeministri Kurti edhe mund ta provojë, por me një këmbë në dialog e me një tjetër në jetësimin e premtimeve që i ka dhënë, do të jetë një ‘shpagë’ e pamundur.

 

Të ngjashme