Lajme
DhSK: Nesër mbahet konferenca e gjashtë mbi ecurinë e çështjes në rastin e Pjetër Shalës
Demokracia
15:41 | 03 Mars 2022

Share:

Përmes platformës online “Zoom”, Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka bërë të ditur se të premten do të mbahet konferenca e gjashtë për ecurinë e çështjes në rastin e Pjetër Shalës.

Sipas saj, gjatë kësaj seance paraprake palët do të diskutojnë çështje që përfshijnë nxjerrjen e provave nga prokuroria për mbrojtjen, ecurinë e çështjeve nga dy palët dhe diskutimet ndërmjet palëve për pikat e marrëveshjes për çështjet juridike dhe faktike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Lidhur me çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ajo tha se kryetarja Ekaterina Trendafilova e ka caktuar panelin e Gjykatës Kushtetuese, për të vendosur mbi referimet e Krasniqit, Veselit e Thaçit.

Ajo tha se këto referimet janë dorëzuar më 28 shkurt dhe ndër të tjera kanë të bëjnë me kundërshtimin e juridiksionit të DhSK-së, ligjshmërinë e akuzave për ndërmarrjen e përbashkët kriminale dhe shkeljet e pretenduara të të drejtave themelore.

Kurse, tha se të martën e ardhshme, më 8 mars, mbahet konferencë përgatitore për mbrojtjen në gjykimin e Salih Mustafës.

Në këtë rast, Griep tha se prokuroria e ka paraqitur dhe mbyllur çështjen e saj dhe 13 dëshmitarët e thirrur nga prokuroria kanë dhënë dëshmi para trupit gjykues.

“Faza tjetër e gjykimit do të përqendrohet në paraqitjen e çështjes së mbrojtjes. Qëllimi i seancës të së martës është t’i lehtësojë përgatitjet për fazën e ardhshme të gjykimit”, ka thënë ajo në fund.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme