Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, ka dorëzuar padi kundër ZRrE-së.
Njoftimi:
Ashtu siç kemi paralajmëruar më herët, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka ndërmarrë hapin e radhës ligjor për të mbrojtur interesat e bizneseve anëtare dhe të gjithë sektorit privat në vend.
Sot, kemi dorëzuar zyrtarisht padinë kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shkak të shkeljeve të rënda ligjore dhe procedurale në vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Ne besojmë fuqishëm se ky vendim i ZRRE-së është i nxituar, arbitrar dhe i papërgatitur mirë, me pasoja të drejtpërdrejta për qëndrueshmërinë financiare të bizneseve që do të preken nga ky vendim.
Vendimi është marrë pa konsultime paraprake me palët e interesit, pa një analizë të thelluar të tregut, dhe kjo pos që rrezikon qëndrueshmërinë e bizneseve, rrezikon edhe vendet e punës.
Për më tepër, përkundër deklarimeve publike se tregu është liberalizuar dhe se janë të hapura mundësi të shumta për furnizim, aktualisht është vetëm një kompani – KESCO – e cila po dërgon oferta për furnizim të bizneseve. Kjo bie ndesh me vetë thelbin e liberalizimit dhe e shndërron këtë proces në një monopol të fshehur, duke rritur rrezikun për abuzim me çmime dhe cilësi të shërbimit.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës u bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërhyjnë menjëherë për pezullimin e këtij vendimi dhe të urdhërojnë ZRRE-në që të rikthehet në një proces të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës.
DhTIK mbetet e përkushtuar për të mbrojtur interesin e bizneseve dhe do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, politike dhe publike për të siguruar një treg të energjisë të drejtë, të rregullt dhe të hapur për të gjithë.