Lajme
Dhjetëra ligje të Kurtit në Kushtetuese | Vetëvendosje që dhunën, kaosin dhe bllokadat i përdori si mjete politike, nuk di të shkruajë ligje
Demokracia
08:13 | 21 Dhjetor 2023

Share:

Jeta nën rregulla dhe ligje po duket gati e pamundur për Albin Kurtin dhe partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.

Tri vjet pas ardhjes në Qeveri, nuk është më sekret se partia e protestave të dhunshme, e kaosit dhe bllokimit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, nuk di të shkruajë ligje, shkruan Demokracia.com.

Pothuajse të gjitha iniciativat ligjore të ndërmarra nga Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje janë parë me rrezik të madh për cenimin të rendit kushtetues, pasi kanë për qëllim kapjen e institucioneve të pavarura dhe agjencive të pavarura.

Përveç kësaj, shumë nga iniciativat ligjore të Qeverisë Kurti kanë shkaktuar pakënaqësi të mëdha te qytetarët e Kosovës, siç është rasti me Ligjin e Pagave në Sektorin Publik, i cili është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit, pasi me qindra ankesa të institucioneve kanë përfunduar në adresë të tij.

Jo vetëm Avokati i Popullit, por edhe deputetët opozitarë kanë dërguar disa ligje në Gjykatën Kushtetuese. Të gjitha rastet deri më tani janë fituar prej tyre.

Është e çuditshme sesi sulmohet aq shumë nga Vetëvendosje shfrytëzimi i kësaj të drejte kushtetuese për të dërguar ligje në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët opozitarë. Kushtetuta e Kosovës u jep të drejtë së paku 10 deputetëve që t’i drejtohen asaj brenda një afati prej 8 ditësh nga dita kur Kuvendi miraton një ligj të caktuar.

“Opozita e pa alternativë, vazhdon ta shfrytëzoj Gjykatën Kushtetuese për ta mbrojtur shtetin e kapur dhe për t’i mbrojtur të fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit”, thuhet në reagimin e VV-së, të datës 19 dhjetor 2023, ku listohen edhe disa nga ligjet për të cilët opozita është ankuar në Kushtetuese.

Përmes ligjeve, Kurti nuk e ka fshehur në asnjë rast qëllimin e vërtetë të tij. Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ai shpehherë ka sulmuar Prokurorinë e Shtetit, derisa procedonte Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, me anë të të cilit, Qeveria dhe mazhoranca parlamentare (LVV) kap përfundimisht edhe këtë institucion.

Kryeministri Kurti vazhdon të shfaq në çdo paraqitje qëndrimet e tij të çoroditura. Ka disa javë që ai mbron qëndrimin se Gjykata Kushtetuese është institucion i thirrur për të bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë së Statutit të Zajednicës, që tashmë e ka pranuar nga 5 emisarët më 21 tetor 2023 dhe është vetëofruar ta nënshkruajë më 26 tetor.

Por, sipas tij dhe Vetëvendosjes, Gjykata Kushtetuese si institucion që ka autoritetin e vetëm në Kosovë për të vlerësuar edhe kushtetutshmërinë e ligjeve që nxjerrë Kuvendi i Kosovës, nuk bënë të shfrytëzohet nga partitë opozitare edhe pse Kushtetuta e Kosovës ua jep atyre këtë të drejtë të pakontestueshme. / Demokracia.com /

Çoroditja e Kurtit: Për Zajednicën fshihet pas Gjykatës Kushtetuese, por kur opozita çon ligje aty e quan instrument “për ta mbrojtur shtetin e kapur”

Të ngjashme