Lajme
Dhjetëra kontrata të bllokuara në “Gjykatën e tenderëve”, shkak mungesa e anëtarëve të Bordit
Demokracia
17:05 | 08 Nëntor 2023

Share:

Nëse një kompani nuk është e kënaqur më vendimet e institucionit publik ku ka garuar për një tender, atëherë e ka të drejtën ligjore që të ushtrojë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit – OSHP. Pa e nxjerrë një vendim final Bordi i këtij institucioni lidhur më ankesën, tenderi mbetet pezull dhe nuk mund të finalizohet. Janë dhjetra tenderë që janë bllokuar në këtë institucion tash e disa muaj, shkruan Demokracia.com.

Rreth 230 ankesa të kompanive po kërkojnë përgjigje nga Bordi i OSHP-së. Furnizim më çizme për pjesëtarët e FSK-së, është vetëm njëri prej tenderëve më vital që është bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit që afro 4 muaj.

Lorentë Alija, hulumtuese e lartë në Organizatën INPO, e cila merret me monitorimin e prokurimit publik, mendon se numri i lartë i tenderëve të bllokuar në OSHP mund të ndikojë negativisht që organizatat buxhetore të përmbushin objektivat e tyre.

Praktika e mosshqyrtimit të ankesave nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit, po vazhdon njësoj sikur të ishte ky bord jofunksional. Rrjedhimisht, numri i ankesave të pashqyrtuara të cilat janë ende të pazgjidhura dhe pa epliog përfundimtar është shumë i lartë. Kjo shkakton dëme të madha për Autoritetet Kontraktuese duke ditur që një pjesë e konsiderueshme e buxhetit mbetet e bllokuar, si pasojë AK as nuk mund të vazhdojnë tutje me nënshkrimin e kontratës, e cila ndërlidhet direkt me interesin publik”, ka thënë Alija.

Ajo thotë se INPO ka identifikuar disa raste kur OShP nuk ka shqyrtuar ankesat, respektivisht afati ligjor prej 34 ditësh është tejkaluar, ndërsa sipas saj ka edhe një numër të konsideruar të ankesave për të cilat vendimi merret pas afatit ligjor.

“Sidoqoftë, duke parë këtë situatë INPO ka analizuar se cilat janë shkaqet të cilat po ndikojnë në vonesa në vendimmarrje dhe trajtimin e ankesave dhe sipas komunikimeve të cilat i posedojmë thuhet se për shkak të mungesës së stafit”, shtoi tutje hulumtuesja e INPO-s.

Ardit Dragusha është Hulumtues në Organizatën “Demokraci Plus”, në programin e Sundimit të Ligjit, me fokus të veçantë te monitorimi i prokurimit publik. Ai mendon se përgjithësisht numri kaq i madh i lëndëve të patrajtuara lidhet me mungesën e anëtarëve të Bordit që po përballët OSHP-ja.

Numri kaq i madh i lëndëve që presin zgjidhje në OShP ndikon negativisht në procesin e prokurimit në përgjithësi për faktin se të gjithë këta tenderë, të cilët janë të natyrave të ndryshme, janë pezulluar deri në një vendim final të panelit shqyrtues.

Arsyeja pse ka kaq numër të lartë të lëndëve është se ky organ është duke funksionuar me tre anëtarë nga pesë sa do të duhej t’i kishte, pas dorëheqjes së Nita Bejtës në fillim të mandatit dhe shkarkimit të Kimete Gashit. Ndërkohë, Kuvendi dhe Qeveria, nuk kanë zgjedhur anëtarë të rinj, teksa shkarkimi i Kimete Gashit është apeluar në Gjykatën Kushtetuese. Gjithashtu, ky organ ka mungesë të theksuar të stafit mbështetës teknik, që është shumë i nevojshëm duke pasur parasysh rëndësinë e tij”, ka thënë Dragusha për Demokracia.com.

Ai mendon se ka pasur disa përmirësime në funksionimin e OShP-së gjatë këtij viti, por sipas tij puna e këtij organi në përgjithësi dhe bordit në veçanti është duke u hendikepuar nga mungesa e dy anëtarëve që rrjedhimisht po ndikon në zbehjen e efikasitetit të “Gjykatës së Tenderëve”.

Nga pesë anëtarë të Bordit, aq sa duhet të ketë ky institucion, për disa muaj ka funksionuar vetëm më tre anëtarë. Demokracia.com ka mësuar se nga data 1 nëntor ka nisur punën edhe një anëtar i ri.

Sipas OSHP-së fakti pse këto lende – ankesa te grumbulluara nuk kanë një vendim te bordit, është se vendimmarrja për  këto objektivisht ka qenë thuajse e pamundur te përfundohet  më herët me vlerësim dhe vendosje meritore së paku për disa shkaqe.

Para se të gjithash ju kujtojmë se pothuajse që nga emërimi e deri në muajin tetot 2023, Bordi të Organit Shqyrtues të Prokurimit ka funksionuar kryesisht vetëm me 3/tre anëtar dhe për rrjedhojë Panelet Shqyrtuese thuajse asnjëherë nuk janë emëruar në përbërje kolegjiale prej 5/pesë anëtarëve. Nga tjetër, akoma administrata e OSHP ka mungesë serioze të stafit profesional i cili është më se i nevojshëm për realizimin e funksioneve mbështetëse për Bordin”, thuhet në përgjigjen  OSHP-së për Demokracinë.

Krahas rrethanave si më sipër, OSHP-ja thotë se në mënyrë të vazhdueshme përballet me një numër të konsiderueshëm të lëndëve, vëllimi i të cilave e tejkalon kapacitetin organizativ të këtij Institucioni.

OSHP-ja thotë se, ndonëse Bordi në përbërjen aktuale pothuajse vetëm nga 3/tre anëtar, punon me përkushtim maksimal, megjithatë shqyrtimi i drejtë dhe objektiv i ankesave në një numër të konsiderueshëm të rasteve kërkon mjaft angazhim, sidomos për shkak të vlerave të tenderit, natyrës komplekse të lëndëve dhe numrit të madh të ankuesve, të cilët pothuajse gjithnjë paraqiten me një numër të konsiderueshëm të pretendimeve në rastet kur atakohen vendimet e autoritetit kontraktues.

Duhet shpjeguar se për çdo lënde, OSHP është e detyruar ta angazhoj ekspertin shqyrtues i cili në kuptim të nenit 113 dhe 114 të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës duhet ta zbatoj një hulumtim paraprak të pretendimeve ankimore, me ç ‘rast koha e nevojshme për çdo ekspertizë e konsumon edhe afatin e paraparë për shqyrtim dhe vendosje. Duhet po ashtu shpjeguar dhe rrethanën, thuajse gjithnjë prezente në fund të çdo viti, se një varg i terë i aktiviteteve të cilat i takojnë sektorit të shëndetësisë, Policisë së Kosovës, Forcave të Sigurisë janë me natyrë urgjent të cilat duhen trajtuar me prioritet sepse konsiderohen me interes publik. Andaj natyrisht se në rrethana e tilla, pa dashjen e Bordit paraqiten vonesa për zgjidhjen përfundimtare të disa lëndëve tjera”, ka thënë tutje ky institucion për Demokracinë.

Demokracia.com ka gjetur se 903 ankesa janë parashtruar nga kompanitë e ndryshme ndaj zyrave të prokurimeve publike nga 1 janar deri më 8 nëntor 2023, derisa rreth 230 nga to nuk kanë marrë akoma përgjigje nga Bordi. Shihet se viteve të fundit është një trend në rritje i ankesave nga ana e kompanive ndaj institucioneve publike. Në vitin 2017 janë regjistruar vetëm 156 ankesa, në vitin 2018 janë  regjistruar 464 ankesa, në vitin 2019 janë regjistruar 905 ankesa, në vitin 2020 janë regjistruar 1196 ankesa, në vitin 2021 janë regjistruar 940 ankesa dhe në vitin 2022 janë regjistruar 1280 ankesa.

Top pesë institucionet ndaj të cilave ka më së shumti ankesa të parashtruara nga operatorët ekonomikë, nga 1 janari 2023 deri më tani janë Komuna  e Prishtinës më 82 ankesa, Korporata Energjetike e Kosovës më 55 ankesa, Policia e Kosovës më 44 ankesa, Komuna Prizrenit me 43 ankesa dhe Ministria e Punëve të Brendshme më 38 ankesa. Ndonëse është komunë e vogël, në top dhjetëshe bënë pjesë edhe Komuna e Podujevës, më 24 ankesa.

OSHP-ja në bazë të një ankesë të parashtruar me shkrim nga një Operator Ekonomik kundër njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar nga AK-së, është autorizuar që ta shqyrtojë kryerjen e aktivitetit përkatës të prokurimit dhe pretendimet ankimore të parashtruara në ankesë, si dhe konform afateve ligjore të nxjerrë një vendim me shkrim për mënyrën e vendosjes së asnjë lëndë, objekt i të cilës është shqyrtimi, ankesa dhe aktiviteti i prokurimit për të cilin është parashtruar ankesa.

Vendimet që merren nga OSHP-ë janë vendimet mbi shqyrtimin e prokurimeve, mbi masat ndëshkuese, mbi ankesat e refuzuara (të pakompletuara), vendime për Listën e Zezë dhe për gjobë.

Kundër vendimeve të OSHP-së nuk është e lejuar ankesa, por pala e pakënaqur me kërkesë-padi mund t’i drejtohet Gjykatës Themelore – Departamentit për Çështje Administrative në afat prej 30 ditësh nga data e pranimit të këtij vendimi. /Demokracia.com/  

Të ngjashme