OpEd
Detyra jonë, të përpiqemi e ta kuptojmë Kadarenë
Demokracia
08:45 | 29 Janar 2024

Share:

Shkruan: AGRON GJEKMARKAJ

Gjeniu shfaqet gjithnjë e më i heshtur, pasi i ka kryer të gjitha. Nuk ishte vetëm një kohë e terrorit, qe edhe kohë e letërsisë. Shkrimtari mbretëronte përballë tiranit. Në murin pas të cilit ishin mbyllur burra e gra shqiptare, mijëra faqe nga letërsia e Ismail Kadaresë gdhendeshin. Ato lexoheshin në të dyja anët njësoj. Para atij muri ai luante vallen si instinkt bazik i njeriut që thërret “Liri”.

Nuk ishte një valle makabre. I lëvizte këmbët pafajësia. Ishte pafajësia e një buzëqeshjeje të përgjakur. Nëse do i kërkonim ndihmë Kunderesë sivellaut më në lindje mbase këtë do na thoshte. Jeta, mbijetesa, ndërgjegjja e lidhjes që nuk ndryshket kurrë mes se mirës dhe se keqes, të qenit i huaj në token tënde, por edhe përgjegjës madhor për fatin e saj nga një ngjizje misterioze i bëjnë tekstet e Kadaresë vështruese të një “momentumi” pa të shkuar, po kaq pa të ardhme sikur ato rrinë në të pamëshirshmin shtrat të Prokrustit.

Paradoksalisht, ose si dëshmi e një spirance ngulur në rrënjët e tokës si dhëmbët e Kadmosit në kujtesën mitologjike të lexuara sot, ose nesër, ato paraqiten të domosdoshme, duke ndikuar mbi axhendën kulturore dhe mendimin e çdokujt, duke humbur disa përmasa për të fituar të tjera tek universalja, vija trashendentale e “botës sanë”. Gjithmonë është sot. E djeshmja ka ikur, e ardhmja ënde s’ka trokitur. Aktualja si e transformuar me teknologji artificiale nuk mplaket kurrë aty.

E ndjek njeriun personazh, shqiptar, francez polak, rus, kinez, amerikan qoftë apo personazhin që rikthehet te njeriu ore e çast përtej krahinës, moteve, kombeve, gjeografisë, sistemeve dhe gjuhës. Një kulturë (ajo shqiptare) nuk rritet, duke u asimiluar brenda kulturave më të forta, por nëse ajo dialogun me ato, kurioze për të mësuar. Kadare e shkaktoi këtë kuriozitet, më saktë e imponoi, edhe përtej dëshirës së të tjerëve, sapo e kudo si gjithë gjërat e forta natyrore që nuk marrin leje po shndërrohen në fenomene.

Brenda historinë, gjenerues i saj, me letërsinë dhe bërës i saj, tek Europa si bir i vet, që i përkufizon identitetin me “ulërimën civile” në fytyrën noprane e nazike, shqiptar i vjetër sa të gjithë shekujt bashkë, bashkëbisedues i Pirros dhe Teutës, Skënderbeut, Naimit e Fishtës, At Zef Pllumit, i prindërve tanë, i yni dhe fëmijëve tanë, në pritje të atyre që do vinë i pa moshë për ata që do kalojnë mbi këtë tokë e nën këtë qiell,Ismail Kadare “në veçantësinë që paraqet Europa Qendrore e ajo Lindore (shkruante dikur Itsvan Bido) përkatësia gjuhësore shndërrohet në faktor politik e historik, e mbi të gjitha një faktor që u paraprin përcaktimeve territoriale në kufijtë ekzistues, e në disa raste formimin e kombeve te reja”. Një prej rëndesave që kjo enciklopedia kadareane ka për shqiptarët mund të gjendet edhe në këto fraza, ku gjuha kultura dhe ekzistenca plotësojnë njëra-tjetrën. Gjeniu shfaqet gjithnjë e më i heshtur, pasi i ka kryer të gjitha! Le të bëjmë detyrën tonë, të përpiqemi ta kuptojmë atë.

Të ngjashme