Të dhënat e më shumë se 500 milionë përdoruesve të Facebook janë gjetur të disponueshme në një faqe në internet për hakerë.
Informacioni duket të jetë disa vjeçar, por është një shembull tjetër i sasisë së madhe të informacionit të mbledhur nga Facebook dhe faqet e tjera të rrjeteve sociale dhe kufijve se sa i sigurt është ai informacion, shkruan The Guardian, transmeton Demokracia.com.
Disponueshmëria e grupit të të dhënave u raportua së pari nga Business Insider. Sipas këtij botimi, ai përmban informacion nga 106 vende duke përfshirë numrat e telefonit, ID-të e Facebook, emrat e plotë, vendndodhjet, datat e lindjes dhe adresat e postës elektronike.
Facebook ka vite që merret me çështjet e sigurisë së të dhënave. Në vitin 2018, gjiganti i rrjeteve sociale çaktivizoi një veçori që lejonte përdoruesit të kërkonin njëri-tjetrin përmes numrave të telefonit, pas zbulimeve të Cambridge Analytica, e cila kshte aksesuar informacionin e rreth 87 milionë përdoruesve, pa dijeninë ose pëlqimin e tyre.
Në dhjetor të 2019-ës, një studiues ukrainas i sigurisë raportoi se gjeti në internet të hapur një bazë të dhënash me emrat, numrat e telefonit dhe ID-të unike të më shumë se 267 milionë përdoruesve të Facebook – pothuajse të gjithë me bazë në SHBA. Është ende e paqartë nëse edhe zbulimi i bërë tani, ka lidhje me atë të vitit 2019.
Në një deklaratë thuhet se ky publikim i të dhënave nga Facebook është “i vjetër” dhe “buronte nga një problem që është rregulluar përpara dy vitesh”. /Demokracia.com/