Lajme
Detaje nga rasti ku e mitura dyshohet se u dhuna nga kadeti i policisë
Demokracia
23:57 | 02 Korrik 2024

Share:

Me 30 qershor një e mitur kishte dal nga shtëpia e saj në fshatin Konjuh i Lipjanit.

Meqë nuk kishte kthyer atë ditë, kishte ngjallur shqetësime tek familja, andaj i ati e kishte lajmëruar rastin në polici në stacionin në Lipjan.

“Fsh. Konjuh, Lipjan 30.06.2024-21:15. Një mashkull kosovar, ka raportuar se vajza e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj”, thuhej në njoftimin e Policisë.

E mitura është gjetur, por që dyshohet se është dhunuar nga një person i moshës madhore.

Këtë vepër penale dyshohet ta ketë bërë një kadet i Policisë së Kosovës, i cili tashmë është arrestuar.

Kështu ka bërë të ditur për teve1.info, Arbër Beka, zëdhënës i Inspektoratit të Policisë së Kosovës.

Beka ka njoftuar se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për caktimin e masës së ndalimit për 48 orë me dyshimin e kryerjes se veprës penale “Dhunimi”.

“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar nga Policia lidhur me këtë rast. Me të pranuar njoftimin kanë shkuar në Stacionin Policor Lipjan DRP-Prishtinë, dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për të cilat është njoftuar Prokurori i Shtetit (prokurori kujdestar). Pas prezantimit të të gjeturave të hetimit deri në atë fazë të hetimit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar të dyshuarin (kadetin policor), për të cilin Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për caktimin e masës së ndalimit për 48 orë me dyshimin e kryerjes se veprës penale ‘Dhunimi’ nga neni 277 të KPRK-së”, ka thënë Beka.

Si pjesë e procedurës, Beka ka thënë se është njoftuar edhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Policia e Kosovës.

Një ekip i televizionit të martën ka qëndruar tek shtëpia e të miturës.

Prindërit e saj, prapa kamerës i kanë thënë televizionit që vajza nuk është dhunuar dhe është kthyer në shtëpi shëndosh e mirë.

Të ngjashme
Lajme • 04 Korrik 2024