Lajme
Detaje EKSKLUZIVE rreth skandalit ku viktima e COVID-it u varros gabimisht në Prizren
Demokracia
12:16 | 10 Shkurt 2022

Share:

Demokracia.com gjatë së mërkurës ka raportuar për një skandal që ka ndodhur, kur nga morgu i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kompania që merrej me transportin e kufomave, i ka ngatërruar dy prej tyre duke e varrosur njëren gabimisht.

Skandali është thelluar edhe më tutje kur të njëjtit, pa e lajmëruar rastin dhe pa marrë aprovim nga familjarët e as institucionet, e kanë hapur varrezën ku ishte varrosur gabimisht viktima e Covid-19.

Burime të Demokracia.com tregojnë se kompania “Funerali” e ka marrë nga morgu Z.D e cila duhej të varrosej në Istog, dhe e kanë varrosur në Prizren, ku duhej të varrosej H.K, varrimi i të cilit nuk ka ndodhur ende. Emrat e viktimave janë të njohur për Demokracia.com, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk do t’i bëjë publik.

Fillimisht, lidhur me rastin u konfirmua edhe nga Klinika Infektive se janë ngatërruar vetëm dokumentet. Megjithatë, kompania “Funerali” për ta fshehur skandalin, ka hapur varrin e Z.D në mënyrë që të marrin trupin e viktimës.

Përveç kësaj kompanie, Demokracia.com merr vesh se lidhur me rastin po hetohet edhe QKUK-ja pasi që dyshohet se i ka lëshuar trupat në mënyrë të gabuar.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona.

“Nga Departamenti i Përgjithshëm, janë ndaluar dy (2) persona të dyshuar, në kohëzgjatje prej 48 orëve, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në kryerjen e veprës penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave” sipas KPRK- së”, thuhet në njoftim./Demokracia.com/

Detaje rreth ndërrimit të trupave në QKUK: Hapet rast, flitet për zhvarrosjen e të vdekurve

Të ngjashme