Lajme
Detaje ekskluzive nga ndalimi i Bislimit në Serbi dhe lëvizjet e pazakonta të policisë serbe
Demokracia
19:47 | 29 Tetor 2022

Share:

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, dy ditë më parë nuk u la të futet në Beograd nga autoritetet serbe të sigurisë. Bislimi, i cili ishte nisur për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare që dje i mbylli punimet në Beograd, u kthye prapa dikur rreth 100 kilometra pa hyrë në kryeqytetin serb me arsyetimin se atij nuk mund t’i ofrohet siguri nga organet e atjeshme.

Për shkuarjen e Bislimit në Beograd dhe pjesëmarrjen e tij në Konferencën e Sigurisë ishin pajtuar dy Zyrat Ndërlidhëse, të cilat kishin komunikuar përmes misioneve të Bashkimit Evropian në shtetet respektive për përmbylljen e agjendës së udhëtimit nga Prishtina, përmes vendkalimit kufitar në Merdarë.

Demokracia.com ka mësuar se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi i ka raportuar shefes së diplomacisë, Donika Gërvalla për ndalimin e vizitës së Bislimit.

Në raportimin e Zyrë së Kosovës në Serbi, siç mëson Demokracia.com, thuhet se vizita e Bislimit u ndalua me pretekstin se siguria personale e tij ishte e rrezikuar dhe se Qeveria e Serbisë nuk mund të garantojë sigurinë e tij.

Mirëpo, autoritetet serbe nuk kanë ofruar asnjë detaj lidhur me këtë pretendim të tyre.

“Misioni i Posaçëm në Beograd, konsideron se preteksti i deklaruar i autoriteteve serbe për moslejim të pjesëmarrjes së Bislimit në Konferencë për gjoja ‘rrezikim të sigurisë personale’ është jobindës dhe i inskenuar, pasi ekziston bindja e plotë se ai vjen pas dështimit të gjetjes së arsyeve të aspekteve procedurale të parashtrimit të kërkesës për lejim të vizitës në Serbi”, citohet të jetë shkruar në raport.

Aty përmendet edhe fakti se të dy Zyrat Ndërlidhëse ishin të njoftuar se Bislimi me datën 27 tetor, rreth orës 13:00 do të mbërrinte në vendkalimin kufitar në Merdarë dhe se aty do të pritej nga diplomatët kosovarë dhe eskorta përcjellëse e përbërë nga zyrtarë policorë të Serbisë.

“Delegacioni i Bislimit i ka kaluar procedurat kufitare të hyrjes në Serbi pa hasur në ndonjë problem të veçantë. Ndërkohë, rreth orës 13:05, ambasadori Jetish Jashari është kontaktuar përmes telefonit nga Predrag Nikoliq, zëvendës i zyrtarit Ndërlidhës të Serbisë në Kosovë, i cili e ka paralajmëruar  Jasharin që delegacioni i kryesuar nga Bislimi duhet në mënyrë strikte ta ndjek agjendën e vizitës saktësisht siç është theksuar në agjendën zyrtare të dërguar nga  dy Zyrat Ndërlidhëse. Ndërkohë, eskorta e Bislimit pasi ishte nisur për në Beograd, rreth orës 13:20, pak para se t’i afrohet Beogradit, konkretisht, në një pushimore të autostradës Nish- Beograd, është ndaluar nga dy vetura policore. Pas konsultimit të policëve të uniformuar është thirrur ambasadori Jashari për të biseduar me ta. Njëri nga policët e uniformuar, Jasharit i ka komunikuar se eskorta Bislimit nuk mund të vazhdojë më tej. Në pyetjen e Jasharit se përse janë ndaluar dhe për çfarë bëhet fjalë polici i njëjtë i ka thënë se kanë informata se Bislimi është i ekspozuar rrezikut personal dhe se Qeveria e Serbisë nuk mund të garantojnë sigurinë e tij. Është thënë nga ta se  Bislimi duhet të kthehet menjëherë prapa, respektivisht, për në vendkalimin kufitar në Merdarë për të vazhduar për në Kosovë. Ambasadori Jashari ka insistuar me këtë rast të dijë se për çfarë rreziku bëhet fjalë, por nga ana e policit të njëjtë i është thënë në mënyrë strikte se nuk mund të ofrojë detaje lidhur me këtë”, thuhet nder tjerash në raport.

Aty po ashtu thuhet se me kalimin e kohës së qëndrimit në vendin e ndalesës, policia serbe ka rritur agresivitetin duke përdorur tone urdhërore për nisje të menjëhershme të eskortës së Bislimit për në Merdarë.

“Edhe gjatë rrugëtimit të eskortës së Bislimi për në Merdarë, nga veturat e mbrojtjes së afërt të policisë serbe janë vërejtura parregullsi dhe lëvizje jo të zakonshme, pasi gjatë distancave të caktuara të rrugës kanë vozitur me shpejtësi shumë më të ngadalshme nga ajo e zakonshme, e poashtu, kohë pas kohe veturat e tyre kanë qenë në distancë shumë më të largët nga vetura e  Bislimit, që e vendoste në pikëpyetje kryerjen e obligimeve të tyre të ofrimit të mbrojtjes së duhur në rast të ndonjë paparashikueshmërie të natyrës së sigurisë”, theksohet në raport. /Demokracia.com/

Të ngjashme