“Ose zgjedhje ose marrëveshje”. Ishte deputetja e Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila e cila e pati thënë këtë.
“Me këto qasje…barrikadimet e partive politike…me të vërtetë duket të dakordohemi, që ta formojmë dhe të shkojmë në zgjedhje të reja”, u pat shpreh ajo.
Përfaqësuesë të Lëvizjes Vetëvendosjes u patën deklaruar se janë edhe për zgjedhje të reja, duke u shprehur të bindur se do të jetë zgjidhje, por me letrën e këtyre të fundit drejtuar LDK’së, po del të jetë krejt ndryshe.
“Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?”, thuhet në letrën e Kurtit drejtuar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut.
Me sa duket shpresa e vetme e VV’së është një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, edhe nëse shkohet prapë në zgjedhje. Kështu të paktën thuhet në letrën e VV’së. Sipas kësaj, VV’ja është dorëzuar për 500k e synuara.
Ndryshe, për të njëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Në vazhdimin e seancës konstituive, të hënën, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Seanca konstituive do të vazhdojë të mërkurën, në orën 10:00.
Letra e plotë:
I nderuar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku,
Po ju drejtohem me këtë letër meqë nuk u takuam ende. Deputetë të LDK-së së fundmi kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, fillimisht me konstituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike.
Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në.
Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet.
LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK, në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq në 2020 me LVV.
Mosapajtimet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus, në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa të tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe.
Jam i bindur që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë? LVV nuk është e interesuar për koalicion me PDK. Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?
Natyrisht që më së miri do të ishte të takohemi e t’i flasim dhe t’i diskutojmë këto si politikanë të pjekur që kanë ardhmërinë e shtetit dhe përparimin shoqëror prioritet mbi çdo tjetër.