Lajme
Dështon sërish seanca e Komunës së Zetës për ta “çnjohur” Kosovën
Demokracia
23:15 | 25 Gusht 2023

Share:

Mbledhja e Kuvendit Komunal të Komunës së Zetës, e cila duhej të vendoste për iniciativën për ta tërhequr njohjen e Kosovës nga territori i kësaj komune në Mal të Zi është shtyrë.

Kjo ka ndodhur pasi që pas shkarkimit të kryesuesit të Kuvendit Komunal, Luka Krstoviç, dorëheqjen nga pozita e nënkryetares e ka paraqitur edhe Novica Pejoviç.

Kjo është hera e gjashtë që seanca për anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga kjo komunë dështon.

Deklarata për anulimin dhe mosnjohjen e vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës ishte iniciuar nga Partia Popullore Demokratike, një nga përbërësit e koalicionit “Për Ardhmërinë e Zetës” – të njohur për orientimin e tyre pro-rus e pro-serb.

Duke qenë se nënkryetarja e Kuvendit Komunal të Komunës së Zetës, Novica Pejoviç – e cila vjen nga radhët e demokratëve që udhëhiqen nga Aleksa Beçiç – ka dorëzuar dorëheqjen e parevokueshme pas shkarkimit të Luka Krstoviç-it nga pozita e kryetarit, seancën nuk ka pasur kush ta drejtojë.

Në seancë morën pjesë këshilltarët e koalicionit “Për të ardhmen e Zetës” dhe këshilltari i pavarur Nikolla Rajoviç, por jo edhe këshilltarët e demokratëve, PKSH dhe Partinë Demokratike të Socialistëve – partia e Milo Gjukanoviç-it.

Nisma për ta çnjohur Kosovën kishte qenë edhe shkaku i fërkimit në mes të asamblistëve të koalicionit “Për të Ardhmën e Malit të Zi” dhe demokratëve në Zetë.

Nga koalicioni “Për të ardhmen Zeta”, kanë akuzuar Krstoviç-in se nuk ka vepruar në përputhje me ligjin, Statutin dhe Rregulloren e Kuvendit kur është fjala për caktimin e seancës me atë pikë të rendit të ditës.

Për këtë arsye ata iniciuan shkarkimin e tij nga kreu i Kuvendit Komunal.

Krstoviç seancën e parë në të cilën u gjet nisma për “çnjohjen” e Kosovës e caktoi për 11 qershor, kur u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare malazeze.

Edhe pse seanca ishte paraparë të mbahej pas mbylljes së vendvotimeve në orën 20:00, propozuesit nuk erdhën pasi ishin kundër seancës në natën e zgjedhjeve.

Vazhdimin e seancës, më 30 qershor, pa kuorum e lanë edhe këshilltarët e koalicionit ZBCG. Mundësia e tretë dhe e katërt për shqyrtim dhe pranim eventual të deklaratës u dha më 25 dhe 27 korrik, por nismëtarët nuk u shfaqën më, duke respektuar tashmë thirrjen e kreut të koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, për të mos ndërmarrë këto aktivitete për të kontribuar në negociatat për formimin e qeverisë së re malazeze.

Ish-Fronti Demokratik – i shpërbërë pas 11 vjetësh – i cili ka pushtet në Zetë, komuna më e re në Mal të Zi, ka marrë vendim që të miratojë Deklaratën me të cilën, siç thanë ata, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të vlejë në atë territor.

Të ngjashme