Seanca gjyqësore ndaj Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani dhe Ardian Huli, të akuzuar për huliganizëm dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë gjatë protestave të vitit 2015, ka dështuar të mbahet. Shkaku i mosmbajtjes së seancës ishte mungesa e përfaqësuesit të Prokurorisë, shkruan Insajderi.
Lajmi është bërë i ditur nga gjyqtari i rastit, Eroll Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë mungesë, gjyqtari tha se do të njoftohet edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca u shty për një datë tjetër.
Edhe seanca e 12 shkurtit 2025, e 26 marsit 2025 dhe ajo e 27 marsit 2025 ishin shtyrë në mungesë të prokurorit të shtetit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 dhjetor 2015, në këtë rast akuzohen Egzon Azemi, Luan Hoti, Naim Bunjaku, Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani dhe Ardian Huli.
Mirëpo, për të akuzuarit Avdimetaj, Hasani dhe Huli është veçuar procedura penale dhe ndaj tyre veçmas po zhvillohet procesi gjyqësor.
Në aktakuzë thuhet gjashtë të akuzuarit e lartcekur më 17 dhe 18 nëntor 2015, kanë marrë pjesë në turmën-protestën e organizuar, e cila protestë ka eskaluar dhe përkundër faktit se forcat e rendit vetëm ishin rreshtuar dhe po mbanin situatën nën kontroll, të akuzuarit si pjesëmarrës aktiv të protestës, i kanë sulmuar seriozisht policët e Kosovës, duke i goditur me gurë, pllaka betoni dhe mjete tjera të forta.
Aty thuhet se si pasojë e kësaj u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore pjesëtarëve të policisë, të dëmtuarave Smail Sadiku, Naim Berisha dhe Ekrem Vllasa, si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 412, paragrafi 1, si dhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.