Lajme
Dështimi i zgjedhjes së kryeparlamentarit, AP: Proces që mund ta çojë vendin në një krizë të zgjatur parlamentare
Demokracia
19:24 | 19 Prill 2025

Share:

Agjencia prestigjioze ndërkombëtare Associated Press (AP) ka raportuar sot mbi zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, duke përmendur betimet e deputetëve dhe dështimin për të zgjedhur kryeparlamentarin e ri të legjislaturës së nëntë, çka mund të çojë vendin drejt një krize të re institucionale.

AP shkroi për betimin e 120 deputetëve të rinj të zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit gjatë seancës së sotme, pas një sërë përplasjeve procedurale mes partive politike.

Megjithatë, Kuvendi dështoi dy herë radhazi të zgjedhë kryetarin e ri të këtij institucioni.

Kandidatura e Albulena Haxhiut nga lëvizja në pushtet Vetëvendosje, e propozuar për postin e Kryetares së Kuvendit, nuk arriti të sigurojë 61 vota, duke marrë vetëm 57 vota në dy raundet e para.

AP nënvizon se situata krijon paqartësi të madhe për seancën e ardhshme parlamentare të thirrur për të hënën.

“Seanca e radhës e Kuvendit pritet të mbahet të hënën, por pa një kryetar të zgjedhur, procedura për zhvillimin e saj mbetet e paqartë. Kushtetuta nuk përcakton një afat kohor të caktuar për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.”

Të ngjashme