Lajme
Dështimi i zgjedhjes së gjyqtarëve të Kushtetueses| Miftaraj: Pozitat e rëndësishme janë kalkulime politike
Demokracia
22:45 | 07 Maj 2022

Share:

Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë të enjten gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj tha për Demokracia.com se pasi që ky proces përsëritet disa herë, shihet qartazi se partitë politike në këtë institucion nuk kane interes për profesionistë të fushës.

Sipas Miftarajt edhe zgjedhja e gjyqtarëve është kalkulim politik.

“Fatkeqësisht është ndërtuar praktikë nga partitë politike në pushtet dhe opozitë që edhe pozitat e rëndësishme si gjykatës në Gjykatën Kushtetuese të cilat janë profesionale dhe të njëjtat do të duhej të buronin nga një proces i drejtë, paanshëm dhe bazuar në meritokraci, të jenë subjekt i kalkulimit politik. Me vet faktin se ky proces përsëritet disa herë, shihet qartazi se partitë politike në këtë institucion nuk kane interes për profesionistë të fushës por për kandidat që lidhen me parti të caktuara politike”, tha Miftaraj.

Miftaraj tregoi më tej se a mundet gjykata Kushtetuese të ushtroj kompetencat e saj edhe pa emërimin e gjyqtarëve.

“Përderisa, në këtë faze Gjykata Kushtetuese ka kuorum dhe mund të ushtroj kompetencat e saj, sigurisht se funksionimi demokratik dhe legjitim i Gjykatës Kushtetuese është të funksionoj në përbërje të plotë”, tha ai për Demokracia.com.

Të enjten ka dështuar zgjedhja e dy gjyqtarëve për Gjykatë Kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës. Deputetët votuan për tre kandidatë, por asnjëri prej tyre s’i mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ka prezantuar votat nga komisioni votues.

“87 deputetë, dy të pavlefshme. Kandidati Albert Avdiu ka marrë gjithsej 60 vota, Bardh Vokshi ka marrë 52 vota, kurse Etrur Maloku 39 vota. Komisioni konstaton që asnjëri nga kandidatët s’i ka marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese”.

Ndërsa, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se konkursi duhet të përsëritet.

“Kësaj radhe 65 vota nevojiteshin, kurse më së shumti që mori ishte 60 vota, kështu që nuk zgjedhet asnjëri. Në bazë të raportit të komisionit të votimit, konstatoj që asnjëri kandidatë s’i mori votat e nevojshme për t’u propozuar për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, andaj përsëritet konkursi”.

Konjufca kishte thënë se komisioni duhet të merret me publikimin e thirrjes për propozimin e dy kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në pajtim me kushtet e parapara sipas ligjit./Demokracia.com/

Të ngjashme