Lajme
Dështimi i ri i Qeverisë Kurti | Bëhet realitet kërkesa e vitit 2011 e LVV-së, shtyhet regjistrimi i popullsisë
Demokracia
09:43 | 21 Tetor 2023

Share:

Kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje për të shtyrë regjistrimin e popullsisë nuk ishte marrë parasysh në vitin 2011, kur për herë të parë Kosova regjistroi në mënyrë të pavarur banorët e saj rezidentë.

Duket ironike, por kjo kërkesë e Vetëvendosjes po bëhet realitet 12 vite më vonë pikërisht nga kjo parti dhe nga kryetari i saj që është kryeministër, Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

Në vitin e largët 2011, partia e Kurtit, e cila kundërshtonte gjithçka dhe çdo gjë, kishte dalë edhe kundër zhvillimit të procesit të regjistrimit të popullsisë, i cili për herë të parë po realizohej nga institucionet kosovare. Regjistrimet e mëhershme, të paraluftës, ishin zhvilluar nën pushtimin serb dhe të njëjtat nuk konsideroheshin të besueshme.

Në atë kohë, LVV-ja kërkonte nga Qeveria e Kosovës që të merrte vendim për shtyrjen e datës së regjistrimit të popullsisë, i cili atëherë ishte i paraparë të zhvillohej nga 1-15 prill 2011.

Sipas partisë së Kurtit, nëse ky proces do të zhvillohej, do të sillte pasoja politike për shoqërinë kosovare.

“Nga zhvillimet e deritanishme, vërehet qartë se ky proces po përcillet me probleme dhe mangësi të mëdha si në aspektin organizativ e po ashtu edhe në atë teknik. Probleme këto që do të sjellin pasoja politike për shoqërinë tonë e që për Lëvizjen Vetëvendosje janë të papranueshme”, thuhej në komunikatën e Vetëvendosjes në vitin 2011.

Por, pavarësisht këtyre thirrjeve të Lëvizjes Vetëvendosje, procesi i regjistrimit të popullsisë nuk ishte shtyrë dhe në fund ishte realizuar me sukses.

Kjo kërkesë e LVV-së, ironikisht duket se po bëhet realitet nën qeverisjen e kësaj partie dhe të kryeministrit Kurti.

Institucioni që duhet ta realizojë regjistrimin e popullsisë, Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka kërkuar zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës që ky proces të shtyhet deri në prillin e vitit 2024. Vendimi pritet të merret së shpejti në mbledhjen e Qeverisë Kurti.

Një nga sfidat aktuale, sipas drejtuesve të ASK-së që është paraqitur, ka të bëjë me sigurimin në kohë të tabletëve që do t’iu shërbejnë regjistruesve, por edhe vonesa në organizimin e trajnimeve.

ASK është agjencion nën varësinë e drejtpërdrejtë të kryeministrit Kurti. Ky agjencion, ishte rikthyer në kuadër të Zyrës së Kryeministrit me vendim të Qeverisë së Kosovës, më 22 qershor 2022. Kryeministri Kurti e kishte arsyetuar këtë vendim për “më shumë pavarësi”.

Regjistrimi i popullsisë është proces i rëndësishëm për shtetet, pasi këto informacione janë të domosdoshme për planifikimin dhe shpërndarjen e shërbimeve shtetërore. /Demokracia.com/

Të ngjashme