Lajme
“Dështim, Qeveri e paaftë, Qeveri arrogante, kryeministër spektator” – Opozita ia numëron Kurtit dështimet në njëvjetorin e qeverisjes
Demokracia
17:42 | 22 Mars 2022

Share:

Sot një vit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti mori drejtimin e Qeverisë së Kosovës.

Partitë opozitare në Kosovë kanë dhënë një sërë kritikash për qeverisjen e tij njëvjeçare, shkruan Demokracia.com.

“Dështim”, “Qeveri e paaftë”, “Qeveri arrogante”, “Kryeministër spektator”, ishin vetëm disa nga kritikat që iu bënë sot Kurtit.

Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë ditës së sotme kanë lëshuar deklarata të ndryshme për ta kritikuar qeverisjen e Albin Kurti.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, PDK, Memli Krasniqi tha të martën se ajo çfarë e karakterizon paaftësinë e kësaj qeverie, nuk është thjeshtë performanca e dobët në realizimin e objektivave të saj, por është kostoja që ajo ka prodhuar për qytetarët e Kosovës. Memli Krasniqi e ka cilësuar si të paaftë, jokompetente dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, qeverisjen njëvjeçare të Albin Kurtit.

“Ajo çfarë e karakterizon paaftësinë e kësaj qeverie, nuk është thjeshtë performanca e dobët në realizimin e objektivave të saj. Karakteristika themelore e kësaj qeverie të paaftë, është kostoja që ajo ka prodhuar për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Më tej, lideri i PDK-së ka thënë se këto janë konstatime të bazuara në të dhëna reale, në kohë reale dhe në pasoja reale, që kanë shënuar fotografinë e qeverisjes nga marsi i 2021-ës deri në mars të 2022-ës.

“Si rezultat i kësaj paaftësie, Republika e Kosovës për një vit qeverisje të Kryeministrit Kurti, nuk figuron as në hartën e investimeve strategjike, as në hartën e rëndësisë politike rajonale, e as në hartën e partneritetit të qëndrueshëm me partnerët dhe aleatët strategjik të Kosovës”, ka shtuar ai.

Madje, sipas Krasniqit, ka ndodhur krejt e kundërta, ku si pasojë e regresit dhe stagnimit që ka karakterizuar këtë vit të qeverisjes, qytetarët e Kosovës kanë filluar të mos shohin më as të ardhme e as në atdheun e tyre.

“Programi i qeverisë Kurti përgjithësisht ka qenë një lojë fjalësh. Aty ku nuk ka qenë lojë fjalësh, ka qenë kopje planesh. Aty ku nuk ka qenë kopje planesh, ka qenë nocione librash. Por program të qëndrueshëm që vendosë hapa konkret për zhvillim ekonomik, për rend dhe ligj, për punësim, për integrim e mirëqenie, nuk ka pasur.”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ka vetëm disa elemente programore, të cilat në fakt, sot na shërbejnë më së miri për ta parë e për ta matur paaftësinë e kësaj qeverie në zbatimin e programit.

“ Ka premtuar themelim të Fondit për Sigurime Shëndetësore. Sot nuk është në agjendë. Në vend të kësaj mund të flasim vetëm për keqmenaxhimin e pandemisë, për shkurtimin e buxhetit për shëndetësi në kohë pandemie, për kontrata të dyshimta dhe për mungesë strategjie e vizioni për shëndetësi. Ka dështuar në ekonomi, ku sot numri i të papunëve është rritur shumë, numri i të papunëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë largimin nga Kosova është rritur jashtëzakonisht shumë, çmimet janë rritur jashtëzakonisht shumë, ndërsa të vetmet që s’janë rritur janë prodhimi, eksporti dhe punësimi dhe pagat”, ka thënë kryetari i PDK-së.

Krasniqi ka përmendur edhe shifrat e frikshme të muajit dhjetor e janar, ku kshim rreth 100 mijë të rinj e të reja që prisnin vizën për tu larguar nga Kosova.

Kritika për qeverisjen e Kurtit ka pasur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai tha se në planin e brendshëm Qeveria Kurti është arrogante, ndërkaq në atë të jashtëm, në dialogun Kosovë-Serbi ishte e papërgatitur dhe pa platformë dialoguese.

Abdixhiku përmes një konference për media të thirrur për këtë përvjetor, ka thënë se e kanë emëruar kështu, pasi sipas tij, është qeveria më e paaftë që e ka pasë Kosova.

“E kemi quajtur një vit paaftësi, pasi kemi të bëjmë me qeverinë më të paaftë që ka pasë Kosova ndonjëherë, më të pa interesuar për të ndërmarrë masa për krizën në Kosovë. Në politikë të jashtme kjo Qeveri është karakterizuar me skandale, me mungesë të takimeve në nivel të lartë. Izolimi i Kosovës po merr formë çdo ditë. Nuk përjashtohet as qasja e kësaj qeverie rreth dialogut. Në politikën e brendshme qeveria ka qenë sa arrogante po aq edhe konfliktuoze. Dëshpërimi qytetarë me një qeverisje të tillë është përcjellë me largim masiv të qytetarëve tanë dhe të rinjve. Sipas matjeve të fundit 55 për qind e konsiderojnë largimin nga Kosova”, ka thënë Abdixhiku.

Kritika për punën 1 vjeçare të Qeverisë Kurti pati sot edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, shkruan Demokracia.com.

Haradinaj i ka renditur 11 arsye sipas të cilave ai mendon se ka dështuar qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.

Dështimin e parë Haradinaj e sheh mos miratimin e ligjit të pagave. Sipas tij, prej se e ka marrë detyrën Kurti, nuk ka rritje të pagave, pensioneve dhe ngecje të të hyrave të qytetarëve.

Shkrimi i Haradinajt:

Këto janë vetëm disa nga dështimet e qeverisë Kurti pas një viti të qeverisjes.

Dështimet e njeriut që i ka shkelur premtimet e veta e që është distancuar nga populli.

  1. Dështimi në miratimin e ligjit të pagave

Prej se e ka marrë detyrën e kryeministrit, nuk ka rritje të pagave, nuk ka rritje të pensioneve, ka ngecje në shtimin e të hyrave për qytetarët.
Qytetarët marrin aq sa kanë marrë para një ose dy viteve, e çmimet janë rritur në mënyrë enorme.

2. Dështimi në fushën e energjisë

Ndalja e projektit të gazsjellësit amerikan. Vendnumërimi në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike. Shtrenjëtimi enorm i energjisë elektrike. Pagesa e dhjetëra milionë eurove për energjinë e qytetarëve serb në veri.

3. Kapja e bordeve dhe institucioneve të pavarura

Nepotizmi në shkallë shqetësuese në politikën e punësimeve.

4. Menaxhimi i keq i pandemisë

Në muajt e parë shkalla tejet e ulët e vaksinimit të popullsisë. Mbyllja pa kriter e gastronomisë. Mbajtja e orës policore përtej çdo kriteri dhe arsyeje. Paketat e ndihmës ekonomike në kohën e pandemisë, pa asnjë efekt në rehabilitim të pasojave të saj.

5. Vazhdimi i dialogut pa koncept me Serbinë. Dialog i nivelit teknik nga i cili Kosova nuk përfiton asgjë.

6. Menaxhimi jo profesional i situatave të sigurisë të krijuara në veri

Ekspozimi i policëve të Kosovës deri në përulje përballë bandave kriminale në veri.

7. Dhënia e dhjetëra tenderëve njëburimor, që është shndërruar në model të korrupsionit.

8. Dështimet në politikën e jashtme Mosantarësimi i Kosovës në asnjërën prej organizatave ndërkombëtare, mungesa e njohjeve, tërheqja e ambasadorëve pa asnjë shpjegim dhe lënja bosh e vendit të tyre për muaj të tërë. Plus skandale të njëpasnjëshme.

9. Qëndrimi i tij për luftën për liri dhe njëjtësimi i arkivave të Serbisë që kanë mijëra dosje të krimeve monstruoze kundër shqiptarëve me arkivat që nuk egzistojnë të UÇK-së.

10. Fushata sistematike institucionale kundër fjalës së lirë, mediave dhe gazetarëve. Margaritari i fundit i kësaj fushate është deklarata e shefit të stafit të kryeministrit, se si disa media janë ndërmarrje të kriminalizuara.

11. Dështimet në garantimin e pavarësisë së gjyqësorit

Tendenca në rritje për të vendosur kontroll në mënyrën e përzgjedhjes së kryeprokurorit. Me ligjin aktual kryeprokurori zgjedhet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Tendenca e kryeministrit është që t’i mbivotojë anëtarët e këtij këshilli, duke zvogëluar numrin e tyre nga 13 sa janë aktualisht në 7, e të tjerët t’i marrë sipas modelit të tij, laikë, nga Avokati i Popullit apo Kuvendi. Model që nuk e kanë as vendet e rajonit e as të BE.

Kryeministri përzihet pikërisht në kohën kur duhet të zgjedhet kryeprokurori, me modelet e tij, se si duhet të jetë ai. Kjo nuk është punë e kryeministrit.

Ka edhe shumë dështime të tjera, kategori në vete, që janë edhe më shumë se dështime, por gabime ordinere, si:

– Kërkesa qesharake e Kurtit në Bruksel për shndërrimin e CEFTA-s në SEFTA
– Deklarimi pa sqarim se Kosova e mbështet një Asociacion gjeografik
– Qëndrimi skandaloz që Marrëveshja e Uashingtonit nuk ka obligime juridike për Kosovën.
– Shfuqizimi i marrëveshjeve me komuna dhe heqja e mjeteve të parapara me buxhet
– Zvogëlimi i subvencioneve për bujq, vonesa e realizimit të tyre dhe realizimi parcial. Zvogëlimi i subvencioneve direkte për vreshtarë prej 1000 në 400 euro
– Heqja dorë nga rivendosja e reciprocitetit me Serbinë pavarësisht se ishte premtim elektoral i VV
– Nisma e pastudiuar për padi ndaj Serbisë për gjenocid qe mund te na kthehet në humbje. /Demokracia.com/

Të ngjashme