Lajme
“Dështaka…, duhet me ikë nga ky vend”: Qytetarët revoltohen me Qeverinë Kurti pas masave të reja
Demokracia
23:04 | 21 Janar 2022

Share:

Shumë qytetarë janë shprehur të revoltuar me Qeverinë e Kosovës, pas vendosjes së masave të reja anti-Covid. Mbi 100 komente janë bërë deri më tani në llogarinë e Ministrisë së Shëndetësisë në Facebook dhe pothuajse të gjitha me kritika.

Qytetarët e Kosovës nuk i kanë mirëpritur masat e reja të vendosura nga Qeveria, sidomos orën policore dhe mbylljen e gastronomisë, raporton Demokracia.com.

Rreth 80 pika i përfshin vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës, që u mor në mbledhjen e sotme. Sipas këtij vendimi, qytetarëve u kufizohet lëvizja nga ora 22:00 deri në 05:00. Ndërkaq, gastronomia lejohet të punojë vetëm deri në orën 21:00.

Por, edhe shumë aktivitete të tjera tani janë të ndaluara për qytetarët, përfshirë edhe fitnesin.

Kjo ka revoltuar qytetarët që zemërimin e tyre e kanë shprehur edhe nëpër komente në rrjetin social Facebook, në një postim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Shumë prej tyre kanë pyetur se ku janë bazuar këto masa dhe ku është bazuar ora policore, e cila nuk ka treguar efekt pozitiv në ndalimin e përhapjes së rasteve të reja.

Njëri prej komentuesve është shprehur se duhet të largohet nga vendi, pasi sipas tij “nuk i besohet askujt”.

Por MSH-ja i ka lejuar vetëm 132 qytetarë të komentojnë. Pas gjithë këtyre kritikave, ka kufizuar personat që mund të komentojnë në postimin ku flitet për masat anti-Covid.

Ndryshe, sot në Kosovë nga 11.563 testime, 2.943 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me virusin COVID-19. Në total numri i rasteve aktive është 12.396.

Qeveria ka vendosur masat e reja anti-Covid, të cilat hyjnë në fuqi nga nesër dhe zgjasin deri më 04 shkurt 2022./Demokracia.com/

LEXO EDHE:

DOKUMENT| Këto janë masat e reja anti-Covid në Kosovë, rikthehet ora policore nga ora 22:00

Të ngjashme