Lajme
Dëshmori Isuf Sadikaj kujtohet në 24-vjetorin e rënies
Demokracia
18:44 | 28 Korrik 2022

Share:

Sot u bënë 24 vjet nga rënia e dëshmorit Isuf Sadikaj në fshatin Pemishtë (ish-Padalishtë) të Drenicës.

24 vjet më pas familjarët e tij e kanë kujtuar veprën e dëshmorit Isuf Sadikaj për lirinë e Kosovës.

Ata kanë vendosur kurora lulesh pranë varrit ku pushon dëshmori Sadikaj.

Dëshmori Isuf Sadikaj ka lindur më 4 maj të vitit 1977 në fshatin Shushicë e Epërme, Komuna e Istogut.

Lidhjet familjare që kishte në fshatin Pemishtë (ish-Padalishtë) e në fshatrat e tjera të Drenicës, mundësojnë që dëshmori Isuf Sadikaj të jetë në rrjedhë të aktiviteteve të armatosura të njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që prej daljes së saj publikisht në Llaushë, në nëntor të vitit 1997. Zgjerimi i organizimit ushtarak në fshatrat Pemishtë, Çubrel, Leçinë, Runik e të tjera, gjatë pranverës së vitit 1998 do ta tërheqin edhe vëmendjen dhe interesimin e Isufit, prandaj ai gjithnjë e më pak do të jetë i pranishëm në familje dhe në fshatin e tij të lindjes e më shumë atje ku vepronin njësitet çlirimtare.

Ai iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në janar të vitit 1998.

Dëshmori Isuf Sadikaj ka marrë pjesë në aksione të shumta të armatosura kundër forcave serbe.

Mbeten në kujtesën tonë sulmet e ndërmarra kundër stacionit famëkeq policor të Runikut, kundër postëbllokut policor në Kodrën e Rakoshit, më 14 maj të vitit 1998, pastaj bllokimi i rrugës automobilistike Pejë-Mitrovicë e të tjera.

Një sulm të ashpër, forcat serbe ndërmorën kundër pozicioneve të UÇK-së në Kodrën e Runikut, në vendin e quajtur Te Çitakët, në Pemishtë e në fshatra të tjera të Drenicës, edhe më 28 korrik ra dëshmor.
Në ditën e rënies, dëshmorin Isuf Sadikaj e varrosën bashkëluftëtarët, në fshatin Pemishtë. Trupi i tij u rivarros më 15 korrik të vitit 1999 në fshatin e lindjes Shushicë e Epërme.

Të ngjashme