Ish-asistentja e reperit të njohur amerikan Sean “Diddy” Combs ka dëshmuar në një gjykatë në New York, duke deklaruar se ishte viktimë e abuzimeve seksuale të përsëritura gjatë periudhës tetëvjeçare që punoi për të.
Dëshmitarja – e cila u paraqit në mënyrë anonime me pseudonimin “Mia” – mes lotësh ka rrëfyer se jetonte në frikë të përhershme nga shpërthimet e dhunshme të Combs gjatë punës pranë tij. Ajo u shpreh para trupit gjykues se kishte frikë të raportonte abuzimin, pasi besonte se ai ishte mbi çdo autoritet, përfshirë edhe policinë.
Ndërsa Mia dëshmonte, Combs ndodhej në sallën e gjyqit me duart e kryqëzuara në prehrin e tij, duke ndjekur fjalët e saj pa reagim të dukshëm.
Artisti është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave federale për reket, trafikim njerëzor dhe transport me qëllim prostitucioni. Ekipi i tij ligjor ende nuk ka marrë fjalën për të marrë në pyetje Miën apo për t’iu përgjigjur pretendimeve të saj.
“Nuk mund t’i thosha jo as për një sanduiç,” tha Mia. “Nuk mund t’i thosha jo për asgjë”.
Ajo është dëshmitarja e dytë në këtë proces që pretendon se është abuzuar seksualisht nga Combs, pas padisë së mëparshme të ish-partneres së tij, Cassandra Ventura.
Sipas dëshmisë, Mia filloi punën si asistente personale e Combs në vitin 2009, në moshën rreth 20-vjeçare. Ajo e përshkroi ambientin e punës si “kaotik” dhe “toksik”, ku pritej të ishte vazhdimisht në dispozicion të reperit, t’i parashikonte nevojat, tekat dhe ndryshimet e shpeshta të humorit.
Ajo u shpreh se ishte shpeshherë e detyruar të qëndronte në shtëpitë e tij, ku nuk lejohej të mbyllte derën me çelës apo të largohej pa leje të tij.
Gjatë kësaj periudhe, Combs ishte shpeshherë i dhunshëm ndaj saj. Në një rast, ai kishte hedhur drejt saj një pjatë me spageti që për pak i goditi kokën. Në një tjetër situatë, i kishte hedhur në mënyrë të dhunshme kompjuterin në drejtim të kokës së saj, pasi ajo i kishte thënë se rrjeti WiFi ishte ende jashtë funksioni.
Mia dëshmoi gjithashtu se ishte dëshmitare e dhunës së Combs ndaj ish-të dashurës së tij, Ventura, e cila kishte krijuar një miqësi me të gjatë kohës që punonte për artistin.
Në një udhëtim të përbashkët në Turks dhe Caicos, Mia tha se një natë e vonë, Ventura kishte hyrë me vrap në dhomën e saj duke bërtitur se “Combs do ta vriste”. Ato kishin ikur dhe ishin fshehur në plazh.
Në një tjetër incident në vitin 2013, Mia ishte e pranishme kur Combs kishte trokitur në derën e Venturës në Los Angeles. Sipas dëshmisë së saj, ai e kishte goditur, duke i çarë vetullën pasi e kishte përplasur mbi kornizën e shtratit. Mia tha se ishte përpjekur t’i hidhej në shpinë Combsit për ta ndalur, por ai e kishte përplasur atë në mur.
“Do ta vriste me të vërtetë,” kujtoi Mia që kishte menduar në atë moment.
Ajo rrëfeu për disa raste ku pretendoi se ishte sulmuar seksualisht nga Combs, përfshirë një situatë ku u zgjua dhe e kuptoi se ai po përpiqej ta përdhunonte. Mia tha se sulmet seksuale kishin ndodhur “herë pas here” gjatë periudhës së punës së saj për artistin. Edhe pse nuk i kujtohej gjithmonë çdo detaj, ajo përshkroi ndjenjën si “një errësirë në bark”.
Kur prokurori e pyeti pse nuk kishte thënë “jo” ose pse nuk kishte shkuar në polici, Mia u përgjigj se e kishte frikë atë që Combs mund të bënte.
Dëshmia e saj do të vazhdojë edhe të premten, kur mbrojtja e Combs do të ketë mundësinë ta marrë në pyetje.