Lajme
Dëshiron t’i ngjajnë | Kurti e provokon opozitën nga Uashingtoni, tenton t’i nxisë të votojnë kundër një marrëveshjeje Kosovë – SHBA
Demokracia
08:36 | 28 Korrik 2022

Share:

Nga Amerika e largët, kryeministri Albin Kurti është përpjekur ta provokojë opozitën, me shpresë se deputetët opozitarë mund t’i nxisë që të votojnë kundër një marrëveshjeje Kosovë – SHBA.

“Fatkeqësisht nuk do të jemi prezent kur edhe opozita do ta mbështesë këtë marrëveshje”, tha të mërkurën kryeministri Albin Kurti, para ceremonisë së nënshkrimit.

“Edhe ata [opozita] nuk do të jenë shumë të kënaqur që nuk do të jemi atje”, u shpreh ai, duke njoftuar se kjo marrëveshje do të dalë për ratifikim të enjten, më 28 korrik, përcjell Demokracia.com.

Në fakt, në paraqitjen për RTK-në vërehej ekzaltimi i tij që arriti të realizojë një takim me sekretarin Blinken, pas vizitës së dështuar në majin e vitit 2022, kur për tri javë bredhi nëpër SHBA duke arritur vetëm një takim te shkallët me këshilltarin për siguri të presidentit Biden, Sullivan. Këtë ekzaltim, Kurti nuk arriti ta mbante të fshehur dhe e bëri që të mos e mbante vetën nën kontroll, duke provokuar edhe opozitën.

Kurti dukej hapur se po mundohej të nxiste deputetët opozitarë që të votonin kundër në seancën e sotme. Kryeministri i Kosovës me fjalët e tij po shprehte hapur dëshirën që opozita e sotme t’i ngjajë opozitarizmit të tij, që shpeshherë është vlerësuar si anti-amerikanizëm.

Është lehtësisht e kuptueshme se opozita e sotme përbëhet nga partitë politike që rrugëtimin për çlirimin, pavarësimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës e kanë bërë bashkë me ShBA-në, derisa Albin Kurti protestonte kundër të gjitha këtyre proceseve.

Andaj përpjekjet e Kurtit se mund të nxisë të tjerët të bëhen sikur ai dhe Vetëvendosje janë llogari të bëra gabimisht.

Si votojnë deputetët opozitarë nga PDK, LDK dhe AAK është e ditur ende pa nisur seanca e Kuvendit. Albin Kurti nuk mund të llogaris që opozita e sotme të bëhet sikur ai, që të gjithë opozitarizmin e ka kundër marrëveshjeve të tilla historike. /Demokracia.com/

Të ngjashme