Lajme
Dëshira e Muratit kthehet në urdhër, kuvendarët e VV-së në Prishtinë do të kërkojnë faljen e tatimit në pronë deri në vlerë 100 euro
Demokracia
19:24 | 27 Janar 2023

Share:

Grupi i Kuvendarëve Komunal nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, ka njoftuar se të hënën do të dorëzojë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, ku në pikë të rendit të ditës do të jetë kërkesa për faljen e tatimit në pronë në vlerën deri në 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e komunës, për vitin 2023.

”Duke patur parasysh kornizën ligjore të ligjit aktual për tatimin në pronë dhe me qëllim të lehtësimit të barrës së qytetarëve, grupi ynë kuvendar, fton të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal që ta nënshkruajnë këtë kërkesë dhe ta mbështesin këtë nismë”, ka shkruar Lëvizja Vetëvendosje – Qendra e Prishtinës, në Facebook.

Vendimi i kuvendarëve të VV-së në kryeqytet vjen pas kërkesës së ministrit të Financave, Hekuran Muratit, që komunat t’i falin 100 eurot e para për secilin tatimpagues së pronës. Ai këtë e propozoi të premten, përpara Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

“Si Ministri i Financave unë do të sugjeroja që të gjitha komunat, meqenëse jemi në gjendje krize, po pajtohemi të gjithë, e vështirësitë e inflacioni, pra duhet t’i mbështesim, le t’ua falin 100 eurot e para secilit tatimpagues të tatimit në pronë. A e mbështesni këtë?!”, deklaroi ai.

Anëtarët e komisionit e quajtën jo-serioze kërkesën e Muratit.

Të ngjashme