Lajme
“Dërmim, arbitraritet politik, rëndim i universitetit”: Statuti i ri i UP-së sfidohet në kushtetuese nga opozita
Demokracia
23:10 | 16 Korrik 2024

Share:

Dërmim…arbitraritet politik…moskokëçarje e deputetëve…universiteti po hyn në një fazë të rënduar të funksionalitetit të tij.

Kështu konstatoi sociologu dhe profesori universitar, Gëzim Selaci, me t’u miratuar Statuti i ri për Universitetin e Prishtinës, nga mazhoranca e Lëvizjes Vetëvendosje para katër ditësh.

Profesori i shquar Selaci – bashkëkoleg profesor i deputetit të LVV-së, Ardian Gola – ka qenë kritiku i parë vokal në profilin e tij kur u miratua ky Statut; që, simbas tij, përbënte veçse betejën e radhës “të qeverisë kundër unversitetit”.

Selaci duke i qëndruar esëllisë së mendimit tha se votuesit (deputetët) as që e kanë kuptuar përmbajtjen e Statutit “dhe as nuk kanë reflektuar për pasojat e mundshme të tij, por sipas direktivave të ekzekutivit të qeverisë dhe partisë”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paralajmëruar menjëherë se këtë Statut do ta sfidojnë në Gjykatën Kushtetuese; duke elaboruar prej shkeljeve procedurale e deri te ato përmbajtësore.

“Ka a shkelje të principeve dhe shkelje statutare”, thotë për Nacionalen, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

“Nuk është debatuar në mënyrë të mjaftueshme me stafin akademik ky Statut; nuk ka inkomporuar rekomandimet nga senati i Universitetit të Prishtinës dhe nga ana e njësive akademike të cilat e kanë pas në dorë pjesërisht. Mund të thuhet se ky Statut është sjellë në kuvend, në mënyrë të pa debatuar në publik”, tha ai.

Referuar vërejtjeve masive që ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, pati ndaj këtij dokumenti i cili pa-një-pa-dy e quajti “anti kushtetues” dhe që bën “diferencime ideopolitike”; Dreshaj nuk i mohon.

“Sa i perket vërejtjeve për këtë Statut, ka edhe vërejtje parimore, pra edhe parimeve parimore të të drejtave të njeriut të cilat janë shkelur. Ndërsa sa i perket diskriminimit në raport ideologjik mund të ketë diçka, për shkak se ky statut ka mundësi një parti e cila është në pushtet të ketë ingrenca mbi autonomine universitare, të interferoj, në proces të zgjedhjes dhe përzgjedhjes të stafit akademik”:

“Unë mendoj që GJK pas nje analize të thukët të këtij Statuti ka bazë të mjaftueshme në aspektet e principeve dhe përmbajtjes që ta kontestojë dhe t’ia kthej organit që e ka hartuar Statutin e Universitetit të Prishtinës”, përfundon Dreshaj.

Kritika tjetër me tone të mprehta ndaj përmbajtjes së Statutit ishte nga vetë Enver Hasani, ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, gjithashtu edhe ish-rektor në Universitetin e Prishtinë.

Hasani i tha Kohës Ditore se ky dokument i votuar është “antikushtetues” dhe se në thelb bën edhe “diferencime ideopolitike”.

“Kjo kategori statutare ka për qëllim kapjen e profesoratit dhe shantazhimin e tyre me lojalitet politik, nëse duan të mbesin në punë”, ka thënë Hasani, teksa ka shtjelluar fije-për-pe aspektet procedurale, të cilat, simbas tij, janë problematike në rend të parë.

“Me Statut parashihet kategoria që askund nuk haset e që quhet diçka si ‘mirëmbajtja e titullit akademik’. Domethënë, profesorët duhet tërë jetën të jenë në ankth për botime të caktuara me qëllim të mirëmbajtjes së titujve të fituar akademikë. Deri në thirrjen e fundit akademike, domosdo që çdo universitet nxit e detyron profesoratin për avancim”.

“Standard universitar është, megjithatë, që kur profesorët fitojnë ‘tenure’ apo vendimin për marrëdhënie të përhershme pune, ata vetëm mbajnë mësim dhe botojnë çka të duan dhe si të duan. Kjo dispozitë me këtë detyrim për ‘mirëmbajtje’ – që ngjason në diferencimet ideopolitike të kohës së komunizmit – prek sigurinë juridike dhe dinjitetin e profesorit universitar”, ka thënë Hasani.

“Si e tillë, kjo kategori statutare ka për qëllim kapjen e profesoratit dhe shantazhimin e tyre me lojalitet politik, nëse duan të mbesin në punë. Edhe në Harvard e Kembrixh kur ke ‘tenure’ supozohet që ke mbërri majat e dijes dhe mbetesh i respektuar. Pra, edhe në rastet e universiteteve private! Këtu synohet që krejt profesorët e rregullt (me ‘tenure’) të rivlerësohen nga e para ose të largohen nga sistemi universitar”, ka shtjelluar Hasani për “Kohën Ditore”.

Ky statut gjer më tash është lavdëruar vetëm nga organizata ORCA që supozohet të monitorojë cilësinë në arsim, që udhëhiqet nga Rron Gjinovci.nacionale

Të ngjashme