Lajme
Derisa importi i mallrave serbe po shënon rekorde, Sami Kurteshi i vetëm i rikthehet sloganit të harruar nga VV-ja “Duaje Tënden”
Demokracia
22:31 | 09 Gusht 2022

Share:

Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, i është rikthyer sloganit të kohës së opozitarizmit të Vetëvendosjes  – “Duaje Tënden”.

Në një thirrje të publikuar në rrjetin social Facebook, Kurteshi ka shkruar se duhet të bojkotohen produktet e Serbisë, sepse në këtë mënyrë nuk financohet shovinizmi gjenocidal i Serbisë.

“Duaje tënden” është slogani që simbolizon premtimin e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për t’u kujdesur për prodhuesit vendor dhe pavarësi nga importi i mallrave serbe, por që është braktisur që nga ardhja e tyre në pushtet.

Albin Kurti ka kaluar nga reciprociteti ekonomik ndaj Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të qeverive të kaluara për reciprocitet në targat e automjeteve.

“BOJKOTO PRODUKTET E SERBISË! MOS FINANCO SHOVINIZMIN GJENOCIDAL TË SERBISË! Mos blej me barkodin që fillon me 860, dëmtoje Serbinë, mos e fuqizo atë ekonomikisht dhe ushtarakisht! Në çdo 1 Euro të paguar nga Kosova në Serbi, 0.70 Euro ndahen për armatim ndërsa 0.30 Cent për financimin e bandave kriminale të Serbisë në Kosovë. Duaje vetëveten, konsumo prodhime vendore! #DuajeTënden! #Bojkoto860! #MosfinancoshovinizmingjenocidaltëSerbisë”. ka shkruar Kurteshi.

Të dhënat zyrtare nga Dogana e Kosovës tregojnë se korriku që iku ka qenë muaji në të cilin  në Kosovë kanë hyrë mallra më së shumti nga Serbia që nga viti 2015.

Derisa shifra më e lartë e importit më Serbinë në këtë vit është shënuar në muajin mars, në një vlerë prej 27,384,602.91 euro. Kjo shumë është tejkaluar në muajin e kaluar duke kapur vlerën prej 30,167,808.54 eurove. Pra, sipas statistikave të Doganës së Kosovës, kjo shifër nuk ka qenë në asnjë muaj që nga viti 2015.

Në vitin 2021, muaji kur Serbia kishte regjistruar shitjen më të madhe në Kosovë ka qenë tetori, në një vlerë prej 26,593,489.56 euro. Në vitin 2020, importi më i lartë ishte regjistruar në muajin dhjetorë në shumë prej 12,722,367.83 euro. Në vitin 2019, shifra më e madhe e importit ishte regjistruar vetëm në vlerë prej më pak se gjysmë milioni euro, dhe kjo ishte në muajin gusht.

Edhe në gusht e vitit 2018 është shënuar shifra më e lartë e importit në një vlerë prej 21,457,479.61 euro. Po ashtu, shifra më e larta e regjistruar në vitin 2017 e importit ka qenë në muajin gusht në një vlerë prej 23,161,312.65 euro. Edhe gushti i vitit 2016 e mbanë primatin ku janë importuar më së shumti mallra në një vlerë prej 22,963,136.49 euro. Të dhënat e Doganës, të cilat i ka parë Periskopi, tregojnë se në muajin kur është importuar më së shumti mallra nga Serbia në vitin 2015 është po ashtu gushti, ku vlera kishte arritur në 26,890,596.09 euro.

Për shtatë muaj, janar- korrik 2022, Kosova ka blerë mallra nga Serbia në vlerë prej 166, 054, 457 euro.

Pas një rënie të fortë në vitin 2019, kur Kosova zbatoi reciprocitetin me Serbinë që solli pothuajse bllokimin e importeve, në periudhën janar-qershor 2021, fqinji verior gjeti përsëri teren edhe nën qeverinë e Albin Kurtit, dhe kaloi sërish në vend të parë nga rajoni i CEFTA-s, që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importi më Serbinë nga 1 Janari deri më 31 dhjetor 2021 ka qenë 243 milionë e 466 mijë euro. Shqipëria ka qenë pak më poshtë më shifra, në vlerë prej 238 milionë e 600 mijë euro. Blerjet e mallrave nga Maqedonia e Veriut 176 milionë e 448 mijë euro. /Demokracia.com/

Të ngjashme