Lajme
Dërguti: Lista “Guxo” e ka humbur momentin për të ecur përpara
Demokracia
19:02 | 04 Prill 2022

Share:

Ish-kandidati për deputet nga Lista “Guxo”, Balton Dërguti, ka thënë se viti i parë si presidente i Vjosa Osmanit ka kaluar mirë, por nuk ka kaluar mirë edhe Lista “Guxo”, që e ka humbur mundësinë për t’u rritur.

“Mendoj që zonja Osmani si presidente po e kryen detyrën e saj mirë dhe gjatë këtij viti, sa ka qenë si presidente, nuk ka pasur ndonjë skandal”, ka thënë Dërguti në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Mendoj që përgatitja e saj edhe si këshilltare e ish-presidentit, zotëri [Fatmir] Sejdiut, ka ndikuar që ajo të jetë e gatshme ta udhëheqë detyrën e saj si presidente e Kosovës dhe mendoj që edhe në vitet e ardhshme do të ketë një paraqitje të mirë”.

Dërguti tha se nuk i duket që Osmani është politikisht e anshme, pavarësisht që lista e saj kishte bërë në zgjedhje koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, duke ardhur eventualisht në pushtet.

“Fillimisht ne i kemi dalë [nga Lidhja Demokratike e Kosovës]”

“Ne nuk kemi dalë [nga Lidhja Demokratike e Kosovës] për asnjërin nga emrat tjerë. Ne kemi dalë në mbështetje të Vjosa Osmanit si person dhe po të mos ishte ajo, ne nuk do të kishim lëvizur nga ai subjekt, por kemi dalë me mendimin që do ta kemi më shumë si përfaqësuese të subjektit sesa si presidente të Kosovës”.

Dërguti tha se iniciativa “Guxo” e ka humbur mundësinë për t’u rritur, duke mos e krijuar asnjë strukturë, me ç’rast edhe e kanë humbur besimin e qytetarëve.

“Lista ”Guxo” e ka humbur momentin që ka mundur të ecë përpara. Faktikisht, ata vetëm kanë aplikuar për t’u regjistruar si subjekt sepse nuk kanë krijuar asnjë strukturë”.

“Është vetëm sa për t’ju thënë juve gazetarëve: ‘Se po kemi apliku’. Por, s’kanë asnjë strukturë dhe e kanë problem”.

“Nga qyteti nga vij e kanë problem, sepse u ka humbur besimi te qytetarët se mund të jenë një subjekt i suksesshëm me në krye një lider të suksesshëm”.

Të ngjashme