Lajme
Deputetja e LDK-së e vlerëson si inskenim politik zhdukjen dhe kthimin e mostrave të Deharit
Demokracia
17:22 | 11 Mars 2023

Share:

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka implikuar një lloj inskenimi politik lidhur me rastin e mostrave të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit.

Kica-Xhelili me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka futur në thonjëza “zhdukjen” dhe “kthyerjen” e mostrave përbrenda këtyre tre muajve, duke thënë se “drejtësia është marrë nën patronazh individësh”, shkruan Demokracia.com.

““Zhduken” mostrat e Astrit Deharit. Tani qenkan “kthyer” në një frigorifer pa qasje në kamera. Për çfarë shteti po flasim? Për çfarë drejtësie po flasim? Për çfarë hetime po flasim?Kjo nuk është shokuese. Kjo është terror! Terror serik mbi drejtësinë!”, ka shkruar ajo.

“Ministrat e drejtësisë nuk kanë kredibilitet më. As dikur, as sot. Ja që sot përgjegjësit fshihen. Të dikurshmit e të sotmit, njëlloj. Aktakuza dikur, aktakuza sot. Sot s’ke as kujt i kërkon dorëheqje, as përgjegjësi. I kanë normalizuar të gjitha. Edhe harresën, edhe apatinë kolektive”, ka vijuar ajo në postimin e saj.

Deputetja e LDK-së, që dikur ishte pjesë e Grupit Parlamentar të VV-së, ka krijuar një lidhje ndërmjet mënyrës së trajtimit të rastit të ish-aktivistit Dehari me rekomandimet e Komisionit të Venecias për çështjen e vetting-ut.

“Ja pse kemi pasur nevojë për Veting gjithpërfshirës. Ja pse na janë prerë këmbët sot nga Komisioni i Venecias, sepse për padrejtësinë tonë pyetëm të tjerët, sepse nuk ishim kurrë të zot për veten”, vijon më tej ajo.

Përgjatë ditës së djeshme është raportuar se janë gjetur mostrat e Deharit në një frigorifer jo-funksional, jashtë objektivit të kamerave në Institutin e Mjekësisë Ligjore. /Demokracia.com/

Të ngjashme