Lajme
Deputeti i VV-së Rrustemi për protestën e policëve: Le të mos e bëjmë betejë politike
Demokracia
21:26 | 01 Nëntor 2023

Share:

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi u pyet në Pressing në T7 për protestën e Njësitit më Elitar të Policisë së Kosovës sot para Qeverisë, për këtë ngjarje të pazakontë ai tha se “si çdo kategori tjetër e kanë të drejtën e garantuar për të shprehur pakënaqësinë dhe për të paraqitur kërkesat e tyre”.

Teksa po jepte mendimin e tij për protestën e sotme, deputeti Rrustemi tha se sektori i sigurisë është i ndjeshëm dhe kjo pjesë s’duhet bërë “pjesë e betejës politike”.

“E kuptoj që kërkesat mund të jenë për më shumë, por brenda kapaciteteve që i ka Qeveria e Kosovës do të përkushtohet në këtë drejtim. Por jemi në një situatë që sektori i sigurisë është një sektor i ndjeshëm që duhet ta ruajmë dhe mos ta bëjmë pjesë të betejës politike, e deri diku as teme të opinionit publik. Duhet ta ruajmë që të mos ta pëfshimë në beteja politike”, tha Rrustemi në “Pressing”, transmeton Express.

Ndër të tjera ai tha se sektori i sigurisë ka qenë prioritet i Qeverisë.

“Në rrafshin tjetër, për qeverisjen dhe qeverinë, policia dhe sektori i sigurisë ka qenë ndër prioritetet kryesore në kuptimin e rritjes së buxhetit të përgjithshëm për policinë dhe FSK-në, shumëfish, sidomos me investime kapitale me 300%, në pajisje operacionale për Policinë  e Kosovës që përmirësojnë kushtet e tyre të punës, rrisin sigurinë në përmbushjen e detyrës së tyre…”

“Sa i përket çështjes së pagave, pa u lëshuar në pagat specifike, e në periudha të caktuara, sepse shifrat janë reale dhe objektive. Ligji për Pagat në sektorin politik, në përpjekje për të nivelizuar në kuptimin për të siguruar një lloj balancimi e barazie për sektorin publik është miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe ka përcaktuar rregullat e pagave, ka përcaktuar edhe rregullat e shtesave. Për policinë, Qeveria ka marrë vendim për të mbështetur policinë me shtesat për rrezikshmëri”, u shpreh ai.

Të ngjashme