Lajme
Deputeti i VV-së: Drejtori dhe zyrtari i arrestuar në MINT qenkan të PDK-së dhe LDK-së
Demokracia
18:03 | 18 Gusht 2023

Share:

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci pretendon se dy zyrtarët e arrestuar sot në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, janë të “PDK-së dhe LDK-së”.

“Drejtori dhe zyrtari i arrestuar në MINT qenkan të PDK-së dhe LDK-së”, ka shkruar Bajqinovci.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, sot në mëngjes janë arrestuar dy zyrtarët e ministrisë, Hafiz Gara dhe Ifran Lipovica, si dhe afaristi Ridvan Muharremi, i cili është raportuar të jetë i afërt me Kryeministrin Albin Kurti.

Prokruroria Speciale po kryen hetime për dyshimet rreth keqpërdorimeve me rezerva shtetërore, pas raportimeve dhe audio-incizimeve të publikuara në media që lidhen me rezerva.

Kurti është pyetur nga gazetarët për zhvillimet e sotme, por ka refuzuar të përgjigjet, duke thënë se për këtë deklarohet gjatë ditës.

MINT ka dalë me një komunikatë, ku thotë se mirëpret hetimet e Prokurorisë Speciale dhe se janë të bindur se furnizimi me rezerva shtetërore është bërë sipas ligjit. Edhe më tutje, MINT akuzon mediat që raportuar për dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore se kanë bërë “përpjekje për keqinformim”.

Ministrja Rozeta Hajdari, e cila ka paditur mediat për raportimet rreth furnizimit të rezervave shtetërore, pritet të deklarohet në një konferencë për media, në orën 18:00. /

Të ngjashme