Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka votuar sot kundër Projektligjit për Pagën Minimale.
Humolli në një prononcim për Demokracia.com i ka treguar arsyet pse votoi ndryshe nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.
Deputeti llapjan tha se propozimi nga Grupi i LVV-së ka shkuar pa u konsultuar fare me të. Sipas tij, kjo është jo korrekte në raport me veteranët e luftës, që të mos zgjidhen problemet e tyre.
“Votova kundër se në rend të parë u shpreh se është në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pa u konsultuar fare me mua dhe është jo-korrekte me u sjell në raport me veteranët e luftës, duke e lënë anën ligjore që me i zgjidh problemin e veteranëve kur ne e dimë në bazë të përvojës time personale që kontrata e qirasë që e kam pas me një partner 30 seanca janë zhvillu për me e prish një kontratë të qirasë, e tash llogarite çfarë dëmi iu bëhet veteranëve të luftës në qoftë se iu lihet kësaj gjykate dhe kjo po më duket një lloj hipokrizie e veçantë. Për këtë nuk e kam votu”, ka thënë Humolli për Demokracia.com.
Ai ka folur edhe për raportet e tij me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë raportet i kam shumë korrekte. Edhe në përgjithësi deputetët e Vetëvendosjes më njohin mirë. Unë kam kërkuar që mos me qenë pjesë e listës së Vetëvendosjes, edhe me i ndihmu gjatë fushatës, por Albini ka thënë kam nevojë me qenë ti, duke i ditur qëndrimet e mia personale”, tha Humolli.
Humolli që është prej zërave të pakët kritikë brenda grupit të LVV-së, ka kritikuar edhe ministrat e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
“Unë nuk jam në politikë për hatër të askujt. Unë në politikë jam për me ndryshu gjendjen në kuptimin pozitiv si mendoj, jo me iu përshtat dikujt tjetër. Ka zëra kritikë brenda LVV-së, kritika e fuqizon VV-në dhe jam i bindur që ka me reflektu për arsye që po harrojnë se ne e kemi bartë përgjegjësinë. Për shembull, unë e kam bartur përgjegjësinë e 10 mijë votuesve te Qeveria. Ministrat shpeshherë po harrojnë që na përfaqësojnë neve”, u shpreh Humolli për Demokracia.com.
Deputeti Humolli tha se është i pakënaqur me gjendjen në Kosovë.
“Unë jam i pakënaqur me gjendjen në përgjithësi. Unë kam hy në Kuvend që më ndryshu, sepse një pjesë nuk besojnë në energjinë e popullit tonë se ka potencial dhe resurse. Në qoftë se nuk besojnë, pse e marrin përgjegjësinë për me drejtu vendin”, tha Humolli./ Demokracia.com/
Fatmir Humolli nga LVV votoi kundër Projektligjit për pagën minimale