Lajme
Deputeti i PDK-së shprehet i tronditur nga tregimi i Memli Krasniqit për ambasadorin Dugolli
Demokracia
11:21 | 15 Shkurt 2023

Share:

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka zbehur marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa e ka ilustruar këtë qëndrim me një tregim të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë vizitës në ShBA.

Shabani ka thënë të martën në Radio Televizionin e Kosovës se siç i ka treguar kryetari Krasniqi, gjatë vizitës në ShBA kishte hasur në vështirësi për t’u takuar me ambasadorin Ilir Dugolli në Nju Jork, për shkak se diplomati nuk kishte shofer.

“Sa që kam pasur rastin ta dëgjojë kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës gjatë vizitës në Amerikë, kur ka kërkuar ta takojë Ambasadorin e Kosovës në Amerikë, thotë ai ka ardhur – më është dashtë me pritë – deri sa e ka parkuar veturën”, është shprehur Shabani të martën.

Ai ka thënë se mungesa e shoferit për Ambasadorin Dugolli tregon për kapacitetet e diplomacisë kosovare.

“Do të thotë, një ambasadë e Kosovës në Amerikës që nuk ka shofer kjo tregon se mungojnë kapacitetet edhe të arritjes së rezultateve, kjo është shqetësuese”, ka deklaruar ai.

Shabani ka thënë se Qeveria Kurti ka arritur t’i zbehë raportet e Kosovës me ShBA-në.

“Mbi të gjitha, besoj që një individ nuk do të mund t’i prishë raportet mes Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, me siguri ndikim do të ketë dhe veçse po shihet që ka ndikim, sepse këto raporte janë mjaft të zbehura”, ka deklaruar deputeti Shabani.

Të ngjashme