Lajme
Deputeti i LVV-së i del kundër ministres Nagavci për shaminë, kërkon të ndryshohet udhëzimi
Demokracia
18:00 | 20 Gusht 2022

Share:

Në Kosovë, që nga viti 2014 ekziston një Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Arsimit, i cili e ndalon bartjen e shamisë në shkolla, udhëzim ky që kohëve të fundit po kundërshtohet fuqishëm përmes fushatave në rrjete sociale.

Debatin rreth lejimit të shamisë në shkolla e komentoi sot edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, duke thënë se nuk ka një udhëzim për shaminë. Për ketë çështje, ministrja tha se është e përcaktuar qartë karakteri i shtetit dhe institucioneve të Kosovës.

“Sa i për Udhëzimit Administrativ është fol shumë kohëve të fundit. Dua të bëjë të qartë se nuk ka ndonjë udhëzim administrativ për shaminë. Nuk ka pas asnjëherë me sa unë e di. E gjithë kjo fushatë që është ngritur kohëve të fundit nuk është të themi e bazuar dhe e qëndrueshme. Është i përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe i institucioneve publike. Udhëzimi administrativ të cilit iu kanë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme dhe të larta. Është e vërtetë që ky udhëzim administrativ ka disa çështje ligjore, sepse preambula të cilës i referohet nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MASHT-it. Por, e vërteta është që rekomandimet janë dhënë që ai udhëzim të mbetet në fuqi. Ne nuk mund ta ndryshojmë një nen specifik. Udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe do të shohim tutje vetëm në aspektin formal ligjor”, theksoi Nagavci.

Por, kundër kësaj deklarate dhe qëndrimi ka dalë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani.

Ai në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë sa i përket Udhëzimit Administrativ për bartjen e shamisë në shkolla.

Ai ka thënë se Udhëzimi Administrativ duhet të ndryshohet.

“Për këtë çështje edhe më herët jam deklaruar edhe për mediumin e juaj. Kështu që nuk kam diçka tjetër çka me shtu. Qëndrimi im është që ai Udhëzim Administrativ duhet të largohet për shkak se është konstatim edhe prej Zyrës Ligjore nga vetë Qeveria që nuk ka bazë ligjore. S’është që kam ndryshuar diçka qëndrim në lidhje me këtë”, u shpreh Rrahmani për Demokracia.com.

LEXO EDHE: 

Deputeti i LVV-së: Askush në parti s’është kundër bartjes së shamisë në shkolla, shpresoj në shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ

Deklaratën e sotme të ministres Nagavci e ka kundërshtuar edhe iniciatori i kampanjës për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla, Durim Berisha, duke thënë se rreth çështjes së shamisë do të flasë gjykata. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

Organizatori i kampanjës për shaminë i reagon Nagavcit dhe LVV-së: Jeni frikacak, tinëzar e të padijshëm

Të ngjashme