Lajme
Deputetët serbë, pozitë-opozitë, gati të konfrontoheshin fizikisht gjatë mbledhjes për Kosovën
Demokracia
16:32 | 10 Prill 2023

Share:

Deputetët opozitarë të Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë kanë braktisur seancën e sotme të Komisionit, të pakënaqur me vendimet e kryetarit të atij organi, Millovan Drecun.

Opozita pretendon se Drecun nuk ka pranuar t’i japë fjalën opozitës, ka refuzuar të përfshijë në rend dite diskutimin për propozimin franko-gjerman dhe nuk ka dashur ta hapë seancën për publikun, pavarësisht se ka vënë në rend dite Raportin fals të Zyrës për Kosovën nga viti i kaluar, të cilin Kuvendi tashmë e ka diskutuar.

Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, deputete e grupit parlamentar “Zavetnik” dhe nënkryetare e Komisionit për Kosovën, pretendon se nuk ka pasur asnjë incident, ndonëse “shoku i rastit Dragan Vuçiqeviq”, në “Informer” ka deklaruar se opozita është sjellë dhunshëm në seancën e Komisionit, se e kanë fyer Petar Petkoviqin, të ashtuquajturin drejtor i Zyrës për Kosovën dhe se më pas ajo u largua nga seanca.

Ajo po ashtu ka pyetur se si mund ta dinte këtë Vuçiqeviq, kur ajo seancë ishte e mbyllur për publikun dhe kur ishte e ndaluar edhe bartja e celularëve, transmeton Demokracia.com.

Ajo përsëriti se opozita nuk ka shkaktuar asnjë incident, përveçse ka kërkuar që në rendin e ditës të futet diskutimi për propozimin franko-gjerman, të cilin Drecun e ka refuzuar, me pretendimin se opozita nuk ka respektuar rregulloren, edhe pse dje ka dërguar kërkesë për plotësimin e rendit të ditës.

“Opozita nuk ka fyer askënd, por këtë e kanë bërë Petar Petkoviq dhe Nebojsha Bakarec, i cili nuk është anëtar i Komisionit. Sigurisht që na thërrisnin dhe na krahasonin me Albin Kurtin. I ftova kolegët të largohen nga seanca që të mos marrim pjesë në diçka që duket si mbledhje partiake e SNS-së”, shpjegoi Stamenkovski dhe shtoi se Drecun ka caktuar një seancë në rend dite të leximit të raportit të Zyrës për Kosovën nga viti 2022, për të cilin parlamenti ka diskutuar në plenumin e kaluar.

“Besoj se njerëzit do t’i interesonte më shumë se pse Petar Petkoviq e prishi agjërimin e Pashkëve dhe u zemërua, sesa raporti i vitit 2022”, deklaroi Stamenkovski dhe shtoi se qeveria vazhdimisht po e zhvlerëson parlamentin.

Ajo shtoi se opozita do të vazhdojë të kërkojë një seancë parlamentare për të diskutuar negociatat në Bruksel dhe Ohër.

Boshko Obradoviq, kryetar i grupit parlamentar të “Dverit”, tha se e gjithë puna e parlamentit është anuluar në mënyrë që të mos dëgjohet asgjë për pasojat e marrëveshjes franko-gjermane. “Nëse marrëveshja do të ishte e mirë, as seanca e Komisionit për Kosovën nuk do të mbyllej. Qeveria duhet t’i shtypë marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit dhe t’i dërgojë në çdo adresë të banorëve të Serbisë, ashtu siç dërgoi udhërrëfyes për pensionistët”, tha Obradoviq.

Tatjana Manojloviq, deputete e DS-së dhe anëtare e Komisionit për Kosovën theksoi se Vuçiq padyshim po blen kohë për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. Ajo tha se e vetmja rrugëdalje janë dorëheqja dhe zgjedhjet presidenciale.

Sanda Rashkoviq Iviq, deputete e Partisë Popullore, kujton se partia e saj ka kërkuar një seancë parlamentare për temën e Marrëveshjes Bruksel-Ohër të negociuar nga një njeri në emër të mbarë kombit serb. Ajo tha se për këtë arsye Partia Popullore beson se shpëtimi është te referendumi.

Ndryshe nga opozita, e cila pretendon se nuk ka pasur incidente në mbledhjen e Komisionit, Petar Perkoviq tha për Informer se ka qenë dëshmitar i sjelljes së dhunshme dhe tërbimit të përfaqësuesve të opozitës.

As deputetja e Partisë Socialiste të Serbisë, Snezhana Paunoviq, në një konferencë të posaçme për shtyp nuk e konfirmoi me vendosmëri se në seancën e Komisionit ka ndodhur një incident, por ajo tha se askush, as Drecun, nuk ka refuzuar të diskutojë për franko- propozim gjerman.

Sipas saj, seanca e Kuvendit Kombëtar me shumë gjasa do të mbahet pas festave të Pashkëve.

Petkoviq, gjatë pushimit të mbledhjes së Komisionit, u tha gazetarëve se një pjesë e opozitës “u egërsua, u soll dhunshëm dhe e braktisi seancën”, për të cilën tha se ishte “i gatshëm të përgjigjej në të gjitha pyetjet e anëtarëve të Komisionit”, raporton Beta.

“Nuk kishin kaluar as pesë minuta nga fillimi i seancës, Drecun si kryetar i Komisionit as nuk e kishte hapur seancën, menjëherë Boshko Obradoviq, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, deputetët e Jeremiqit filluan të bërtasin, të shajnë, ta mbivotojnë Drecun, të ngrihen në këmvë për të krijuar kaos duke kërkuar një lloj shtese në agjendën ditore, urdhër dhe gjithçka për të përsëritur skenarin e seancës speciale për Kosovën”, ka thënë Petkoviq. /Demokracia.com/

Të ngjashme