Lajme
Deputetët “myslimanë”: Kush janë kundërshtarët e fertilizimit artificial dhe martesave të seksit të njëjtë?
Demokracia
13:26 | 27 Shkurt 2024

Share:

Projektligji për fertilizimin e asistuar dhe projekt-kodi civil, që njeh bashkësitë civile të seksit të njëjtë, janë tema që kanë ngjallur reagime të shumta në publik. Aktualisht, konservatorët janë kundër këtyre dy ligjeve, duke i kundërshtuar shpesh me gjuhë homofobe e raciste. Deputetë me ngjyrime myslimane, BIK-u dhe një lëvizje myslimane janë duke i kundërshtuar fuqishëm këto dy nisma të Qeverisë Kurti. Kush po flet?

Duda Balje, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, është një nga kundërshtaret më të zëshme të këtyre dy projektligjeve. Deputetja boshnjake u prit dje nga Naim Tërnava, myftiu i Kosovës. Tema e diskutimit është lehtë e rrokshme.

Sipas njoftimit të BIK-ut, në takim janë diskutuar për dy projektligje, përfshirë atë për fertilizim të asistuar, që sipas BIK-ut “kontribuon direkt në prishjen e institucionit të familjes”.

“Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin e institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës me Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ku ndër të tjera edhe një herë u potencua shqetësimi i Myftiut Tërnava dhe i institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, rreth ecurisë së miratimit të disa projektligjeve, e në veçanti miratimi i projektligjit për fertilizimin e asistuar, i cili kontribuon direkt në prishjen e institucionit të familjes”, shkruhej në njoftimin e BIK-ut.

Duket se ky takim ka ndikuar në ripërtritjen e “energjisë” së Baljes për të kundërshtuar dy ligjet që synojnë zgjerimin e lirive themelore të njeriut. Në një prononcim për “Ekonomia Online”, Balje theksoi se nuk do ta ndryshojë qëndrimin për këto nisma ligjore.

“Ne ndërkohë jemi duke punuar siç e keni parë praktikisht çdo ditë kemi Komision për të Drejtat e Njeriut jemi duke punuar në çështje shumë serioze ne kemi vazhdu me punu qysh unë mendoj se duhet edhe jam në pritje të përgjigjes së Glaukut. Ata kanë pas disa kërkesa konkrete lidhur me të drejtat LGBTI+ unë nuk e kam përkrahë bashkë me disa deputetë brenda komisionit edhe për shkak se jam kryetare dhe ata mendojnë se unë patjetër duhet me përkrahë çfarëdo lloj kërkesa unë nuk i përkrahë këto kërkesa dhe jemi ku jemi. Ata janë duke kërkuar shkarkim, unë edhe si deputete kam të drejtë për mendim të lirë dhe ky është mendimi im dhe kam me vepru deri në fund qysh edhe mendoj” – tha Balje për EO.

Përveç Baljes e BIK-ut, të zëshëm në këto tema janë tre deputetë konservatorë të VV-së: Eman Rrahmani, Visar Korenica e Gramos Agusholli. Pas dështimit të votimit të projekligjit për fertilizim të asistuar, Rrahmani deklaroi se nuk do ta votojë asnjëherë këtë nismë të Qeverisë Kurti.

“Ligje sikurse ishte ky sot që mund të çojnë në martesa të babës me vajzën, vllaut me motrën… KURRË nuk do të mbështeten!” – shkroi ai, ditë më parë në Facebook.

Ndërsa mbrëmë në RTV Dukagjini, dy deputetë e një ish-ministër e kundërshtuan, secili me “argumente” të tyre, projektligjin për fertilizim të asistuar. Madje, në një moment, një deputete rrëshqiti në racizëm, teksa foli për prejardhjen e materialit gjenetik.

Përveç këtyre, është edhe një lëvizje jashtëparlamentare, e cila po ashtu ka një ngjyrim fetar. Lëvizja “Demokracia Konservatore”, që udhëhiqet nga Abdullah Klinaku, është e zëshme në kundërshtimin e këtyre nismave ligjorë. Edhe në interpretimin e tij, këto nisma “shkatërrojnë familjen shqiptare”.

Të ngjashme