Lajme
Deputetët francezë kërkojnë hetim të dyshimeve për financimin e partive nga Rusia
Demokracia
15:30 | 24 Shtator 2022
Ilustrim

Share:

Disa deputetë të Asamblesë Kombëtare të Francës thanë të shtunën se kanë kërkuar nga kryetarja e dhomës së ulët të parlamentit të vendit që të themelojë një komision hetues për t’i analizuar dyshimet për financimin e partive politike nga Rusia.

Në një letër dërguar kryetares Yael Braun-Pivet, që u shfaq para gazetarëve, deputetët thanë se ky veprim i tyre është nxitur nga deklasifikimi i disa të dhënave të inteligjencës amerikane, sipas të cilave Rusia u ka dhënë qindra miliona euro partive të huaja “me qëllimin për të… ndikuar në zgjedhje”.

Tetë deputetët, që janë pjesë e partisë “En Marche” të presidentit francez, Emmanuel Macron, gjithashtu theksuan se partia e së djathtës ekstreme e politikanes Marine Le Pen ende është duke paguar një hua të dhënë nga bankat ruse, raporton agjencia “Reuters”.

“Këto fakte qartazi lënë të kuptohet një vullnet rus për të ndërhurë në debatin publik francez… Ato e përligjin formimin e një komisioni hetues për të përcaktuar nëse partitë politike franceze – dhe cilat – kanë përfituar nga financimi rus”, thuhet në letrën e deputetëve të partisë në pushtet.

Duke i përmendur të dhënat e deklasifikuara të inteligjencës amerikane, një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden tha më 13 shtator se Shtetet e Bashkuara presin që Rusia gjithnjë më shumë t’i kthehet financimit të fshehtë politik në muajt e ardhshëm për t’i minuar sanksionet ndërkombëtare për luftën në Ukrainë dhe për ta mbajtur ndikimin e Moskës jashtë vendit.

Të ngjashme