Rreth 30 mijë e 881 euro i kanë shpenzuar deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në gjashtë muaj për udhëtime jashtë vendit.
“Kallxo.com” raporton se ka siguruar të dhënat për shpenzimet e Kuvendit të Kosovës për periudhën janar-qershor 2023.
Sipas këtij medium, pesë deputetët e LVV-së që shpenzuan më së shumti në udhëtime zyrtare janë: Jeta Statovci, Mimoza Kusari – Lila, Arbreshë Kryeziu – Hyseni, Fitore Dalipi – Pacolli dhe Fjolla Ujkani.
Statovci, sipas këtij mediumi, ka më së shumti shpenzime gjatë muajit të parë të vitit 2023, ku ka harxhuar rreth 4 mijë e 128 euro në pesë udhëtime zyrtare, duke përfshirë edhe akomodimin dhe shpenzimet e tjera.
Shefja e këtij grupi, Mimoza Kusari-Lila, ka shpenzuar tre mijë e 171 euro për tetë udhëtime zyrtare, duke përfshirë udhëtimin dhe akomodimin, derisa nuk figurojnë të dhëna për shpenzime të tjera.
E treat në listë, deputetja Arbëreshë Kryeziu – Hyseni ka shpenzuar dy mijë e 946 euro për udhëtime zyrtare, ndërsa Fitore Dalipi – Pacolli rreth dy mijë e 307 euro.
Fjolla Ujkani, e pesta në radhë, ka shpenzuar dy mijë e 70 euro.
Sipas këtij mediumi, Kuvendi ka shpenzuar gjithsej 91 mijë e 892 euro për udhëtime, akomodim dhe shpenzime të tjera në periudhën gjashtë mujore janar – qershor 2023.