Lajme
Deputetët e opozitës ia bëjnë ‘bajat’ Kurtit, e votojnë marrëveshjen me MCC-në
Demokracia
13:10 | 28 Korrik 2022

Share:

Të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro marrëveshjes me MCC-në.

89 deputetë sa ishin në sallën e Kuvendit të Kosovës, që të gjithë e kanë votuar marrëveshjen që një ditë më parë Qeveria e nënshkroi me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) në Kongresin Amerikan, raporton Demokracia.com.

Kjo ishte edhe përgjigja më e mirë që deputetët e opozitës i dhanë kryeministrit Albin Kurti, i cili në ditën e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje nga SHBA thumboi opozitën.

“Kam kënaqësinë që t’iu informoj se marrëveshja që po nënshkruajmë sot do t’i prezantohet Kuvendit (të Kosovës) për ratifikim që nesër (e enjte). Edhe pse duhet ta pranoj që është e trishtueshme që nuk do të jemi ne, unë me zonjën Rizvanolli, për t’u ballafaquar me opozitën. Por, besoj se edhe ata nuk do të jenë shumë të kënaqur që nuk jemi ne aty”, kishte deklaruar Kurti të mërkurën gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.

Marrëveshja në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, përqendrohet në projekte të energjisë.

Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës. Projekti më i rëndësishëm pritet të jetë ai i ruajtjes së energjisë. Përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë. Përmes baterive synohet të reduktohet nevoja për importin e energjisë, derisa çmimet e importit tashmë janë rritur.

Partitë opozitare edhe pse i ofruan mbështetje marrëveshjes, e kritikuan Qeverinë Kurti për “vonesë” e për “mospranim të opsionit të mëhershëm për qasjen në gazsjellës”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se negociatat për këtë çështje kanë nisur në kohën e presidentes Atifete Jahjaga e kryeministrit Hashim Thaçi. I është kundërpërgjigjur Kurtit për deklaratën se i vjen keq që s’është përballë opozitës në seancën e ratifikimit.

“Më vjen keq që nuk e kemi kryeministrin se si ndihet ai përballë nënshkrimit të një marrëveshje që ka nis negociimin në vitin 2014”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq Pal Lekaj nga AAK-ja ka thënë se kryeministri Albin Kurti, sa ishte në opozitë “tallej me marrëveshjet”. Ai ka shtuar se AAK-ja i thotë “po të madhe” marrëveshjes.

“Është për të ardhur keq se sa herë kemi pasur marrëveshjet, VV-ja ka bërë shaka e sidomos kryeministri duke e quajtur ‘Amelika, Amelika’. Është për të ardhur keq. Po e shihni se lidershipi i SHBA-së nuk e ka qëllimin se kush është kryeministër, por interesin e Kosovës. Dhe ju duhet të merrni mësim nga ajo që tani ka treguar lidershipi i SHBA-së sepse në pah ka dalë interesi i qytetarëve dhe jo i një kryeministri që ka bërë shaka në këtë foltore”, ka thënë Lekaj.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka akuzuar Qeverinë Kurti se “ka më së paku merita për këtë marrëveshje”.

Deputetët ratifikuan edhe marrëveshjen e partneritetit për Kornizën Financiare me Komisionin Evropian për marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare të Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA III). /Demokracia.com/

Të ngjashme