Pas largimit të Lulzim Bashës nga mbledhja e grupit parlamentar, deputetët e mbetur aty janë duke hartuar një rezolutë, me anë të së cilës të arrihet bashkimi i Partisë Demokratike.
Por në këtë rezolutë që është duke u diskutuar, në pikën 2 të saj, i kërkohet deputetëve të pezulluar që mbështesin Komisionin e Rithemelimit të gjejnë edhe ata një mekanizëm me anë të të cilit të largojnë Berishën. Të paktën kështu thuhet në draftin që ka rrjedhur për mediat, ndërkohë që mbledhja ende vazhdon.
Rezoluta drejtuar mbështetësve të Berishës parashikon edhe një fushatë në bazë për bashkimin dhe një përfaqësi nga PPE për të lehtësuar ndërmjetësimin mes palëve.
Por siç është deklaruar më herët, Berisha ka vetëm një kusht për të pranuar deputetët që mbetën pa kryetar dhe ajo është vota. Ai ka shpallur tashmë ambicien për të konkuruar si kryetar i PD dhe për të marrë partinë. Dhe me largimin e Bashës, gjithçka është bërë më e lehtë.