Lajme
Deputetët e Listës Serbe nënshkruan mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës
Demokracia
20:45 | 03 Maj 2025

Share:

Deputetët serbë kanë vënë firmën mbi letrat e betimit, veprim që refuzuan ta bëjnë në sallën e Kuvendit ku mund të xhiroheshin. Në kopjet që i ka siguruar KOHA, ata kanë shprehur zotimin edhe për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës. E, kolegë të tyre shqiptarë bënë jo pak gabime në shkrimin e emrit dhe mbiemrit. Në mesin e ligjvënësve që s’iu përmbajtën rregullave gramatikore, është edhe akademiku i vetëm që ka Kuvendi.

Janë zbardhur letrat e betimit që të nëntë deputetët e rinj të Listës Serbe refuzuan t’i firmosin brenda sallës së Kuvendit, ku mund të xhiroheshin nga kamerat.

Me firmën e vënë nën tekstin e shkruar në serbisht, ata janë deklaruar si ligjvënës të Republikës dhe janë zotuar se do të punojnë në interes të shtetit të Kosovës dhe të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”, thuhet në tekstin e betimit në serbisht, që e kanë firmosur edhe ligjvënësit e Listës Serbe.

Katër nga deputetët e kësaj partie, në letrën e betimit i shkruan emrat në alfabetin cirilik.

Njëra prej deputeteve të partisë që mban lidhje të forta me Serbinë, ka gabuar datën. Liljana Stefanoviq shkroi numrin 5 në vend të 4, për ta treguar muajin.

Gabime të natyrave të ndryshme bënë edhe kolegët e saj shqiptarë, në tri hapësirat që duhej t’i plotësonin me dorëshkrim.

Në letrën e betimit, deputetëve u është kërkuar të shkruajnë jo më shumë se emrin dhe mbiemrin e tyre, ta vënë nënshkrimin dhe ta vendosin datën e betimit.

Shumë ligjvënës nuk u kanë qëndruar besnikë rregullave gramatikore, kur kanë përdorur shkronjat e mëdha të shtypit.

Akademiku i vetëm i Kuvendit, Kujtim Shala, që është i specializuar në letërsinë moderne, në teori letrare, forma letrare dhe në estetikë, ka vendosur pikë mbi dy shkronja të mëdha të shtypit: I dhe J.

Të njëjtin gabim e kanë bërë edhe rreth 20 deputetë, e në mesin e tyre edhe ministrat në detyrë: Faton Peci, Ejup Maqedonci, Elbert Krasniqi e Liza Gashi.

Emri i ministres që udhëhoqi katër vjet Ministrinë e Arsimit, Arbërie Nagavci, është vështirë i lexueshëm.

E, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, është treguar kursimtar edhe në tekstin e betimit. Është prej deputetëve që ka përdorur fontin më të vogël.

Disa nga deputetët e nisën mbiemrin me shkronja të vogla, disa futën shkronja të mëdha në mes e të tjerë i harruan disa germa.

Disa ngatërruan edhe datat.

E, më të kujdesshmit janë treguar liderët partiakë. Në letrat e betimit të tyre munguan gabimet, e disa nga ta si Ramush Haradinaj, demonstruan shkathtësitë në stilizim.

Deputetët e bënë betimin më 19 prill, në tentimin e tretë për ta konstituuar legjislaturën e re. Seanca konstituive ende nuk është përfunduar, ndonëse janë realizuar 10 vazhdime deri tash.

Të ngjashme