Lajme
Deputetët e Kuvendit takohen me kolegët gjermanë, vlerësojnë kontributin e Gjermanisë në fushën e sigurisë
Demokracia
16:06 | 28 Shkurt 2024

Share:

Komisioni Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i kryesuar nga deputeti Bekë Berisha, kanë pritur në takim një delegacion të Komisionit të Mbrojtjes të Bundestagut gjerman, të kryesuar nga kryetarja e këtij komisioni, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, ku kanë vlerësuar kontributin e vazhdueshëm të Gjermanisë ndaj sektorit të sigurisë.

“Kryetari dhe anëtarët e Komisionit nikoqir njëzëri shprehën falënderime për kontributin e vazhdueshëm të shtetit gjerman ndaj sektorit të sigurisë të Republikës së Kosovës, duke vlerësuar lart angazhimin dhe punën e pjesëtarëve të ushtrisë gjermane në kuadër të KFOR-it dhe rëndësinë e kësaj prezence në një kohë kur ka tendenca për destabilizim të vendit dhe rajonit”, është thënë në njoftimin e bërë nga kuvendi.

Lidhur me këtë, anëtarët e Komisionit të Mbrojtjes së Bundestagut u shprehën se mbështetja gjermane ndaj Kosovës do të vazhdojë tutje, duke përmendur përfshirjen në drejtim të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë e rajon.

Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me anëtarët e Komisionit të Mbrojtjes të Bundestagut gjerman, ku ka vlerësuar lart praninë e shtuar gjermane në Kosovë.

Sipas njoftimit për media të Kuvendit, Konjufca shprehu mirënjohje për kontributin e gjatë dhe të vyer të shtetit gjerman ndaj Kosovës, ku dhe i falënderoi anëtarët e Komisionit për angazhimin në drejtim të forcimit të bashkëpunimit mes vendeve në fushën e parlamentarizmit, të sigurisë dhe mbrojtjes.

“Ai tha se vendet tona mike dhe partnere ndajnë ngushtësisht interesa të përbashkët, e kjo mundëson të hapim gjithnjë e më shumë gamën e raporteve dhe forcimin e tyre. Nga ana e anëtarëve të Komisionit gjerman të Mbrojtjes, ata u shprehën se mbështetja gjermane ndaj vendit tonë do të vijojë, përfshirë edhe në drejtim të ruajtjes së integritetit, sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës, si kontribut edhe për stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftim.

Po ashtu Konjufca i njoftoi me punën e Kuvendit në çështjet e mbrojtjes, e në anën tjetër, i njoftoi edhe me zhvillimet në vendin tonë, ku vlerësoi lart praninë e shtuar gjermane në Kosovë me trupat e angazhuar në kuadër të KFOR-it dhe rëndësinë e kësaj në një kohë kur shteti serb angazhohet për destabilizim të vendit dhe rajonit.

“Anëtarët e Komisionit e falënderuan kryetarin për mikpritjen dhe i shprehën gatishmërinë e tyre për zhvillimin e angazhimeve të përbashkëta në kuadër të interesave të dyanshme”.

Të ngjashme